Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shtëpia e Bardhë sugjeron se Kremlini është përgjegjës për vdekjen e Prigozhinit

Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se Kremlini është përgjegjës për vdekjen e kreut të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili u vra nga një rrëzim misterioz i avionit javën e kaluar.

“Të gjithë ne e dimë se Kremlini ka histori të gjatë të vrasjes së kundërshtarëve”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

“Është shumë e qartë çfarë ndodhi këtu”, shtoi ajo.

Ky është sugjerimi më i madh amerikan rreth mundësisë që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të ketë qenë urdhëruar vrasjen e Prigozhinit, i cili e kishte kryer një kryengritje jetëshkurtër kundër Kremlinit në qershor.

Prigozhini u varros në një ceremoni private në Shën Peterburg më 29 gusht, në të cilën nuk mori pjesë Putini, dikur aleati i tij më i afërt.

“Ceremonia e lamtumirës për Yevgeny Viktorovich u mbajt përmes një organizimi të vogël. Ata që duan t’i thonë lamtumirë mund të vizitojnë varrezat Porokhovskoye”, u tha në kanalin në Telegram që përdoret nga Wagner.

Varreza që grupi iu referua gjendet në periferi të qytetit të Shën Petersburgut.

Një avion i grupit mercenar Wagner, që udhëhiqej nga 62-vjeçari, u rrëzua mes Moskës dhe Shën Peterburgut më 23 gusht, duke i vrarë të gjithë 10 personat në bord. Prigozhin ishte në listën e udhëtarëve.

Katër ditë më vonë, Komisioni Hetues i Rusisë njoftoi se trupi i Prigozhinit ishte identifikuar nga mjekët, bashkë me trupat e nëntë personave të tjerë në bordin e avionit Embraer, i cili u rrëzua në rrethana të dyshimta. /REL