Udhëzimi administrativ që iu mundëson qytetarëve të komunave në veri shkarkimin e kryetarëve përmes një peticioni do të jetë gati më 1 shtator. I njëjti sipas zyrtarëve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal do të jenë në dëgjim publik edhe nesër më 31 gusht, mirëpo njohës të proceseve ligjore konsiderojnë se MAPL është vonuar në hartimin e këtij drafti, pasi ka edhe procedura të tjera derisa ai të hyjë në fuqi.
Nga zyra e kabinetit të ministrit të MAPL-së, Elbert Krasniqi, thonë për KosovaPress se ende nuk është përfunduar në tërësi drafti, pasi sot dhe nesër janë në fazën e pranimit të komenteve nga institucione të tjera.
“Udhëzimi Administrativ nuk ka përfunduar ende pasi jemi në fazën e komenteve nga institucione të tjera. Besoj se do të miratohet deri më 1 shtator kur është edhe afati për përfundimin e tij nga grupi punues”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Por profesori universitar, Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress se është shumë skeptik se udhëzimi administrativ do të ofrojë zgjidhje konkrete për deeskalimin e plotë të situatës në veri dhe shpalljen shpejt të zgjedhjeve të parakohshme atje.
Ai shton se të njëjtin e sheh më shumë si një metodë për të blerë kohë sesa për të organizuar zgjedhjet në veri.
Baraliu: Udhëzimi administrativ metodë për të blerë kohë
“Administrata jonë shtetërore dhe institucionet e saja qeverisëse edhe më herët dhe tani me këtë qeverisje nuk është se janë shquar shumë në ndonjë efikasitet dhe efektivitet në punë. Përkundrazi më shumë se vonesa, zvarritje dhe burokraci kemi pasur sesa të themi efikasitet në çdo çështje. E dyta, lidhur me këtë çështje si rrjedhojë e obligimeve nga Bratislava, qeveria jonë, ashtu sikurse edhe BE-ja dhe Serbia, po përpiqen me metoda dhe mjete të caktuara të zvarrisin çështjet për të blerë kohë dhe për të parë si po reagohet ndaj palës tjetër dhe nga pala tjetër. Mund të konsiderojmë si një lloj taktike të qeverisë sonë dhe ministrisë përkatëse sa i përket këtij udhëzimi administrativ”, thotë ai.
Sipas tij, pas nënshkrimit nga ana e ministrit Krasniqi të udhëzimit administrativ, i njëjti do të hyjë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare.
Ai shtoi në udhëzim duhet të sqarohet edhe ecuria tutje si duhet të vazhdohet pas nisjes së peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri.
Baraliu: Të sqarohet edhe ecuria e mëtejmë procedurale që pas peticionit të shkarkohen kryetarët
“Qytetarët do të duhej ashtu siç parasheh neni 72 i ligjit për vetëqeverisje lokale që përmes kërkesave të tyre, që dikush po e quan peticion 20 për qindëshi i trupës elektorale, qytetarëve mbi 18 vjeç që kanë të drejtë vote të vënë nënshkrimet e tyre drejt Asamblesë Komunale dhe pastaj udhëzimi administrativ të përpunojë ecurinë e mëtejme procedurale në mënyrë që të realizohet kjo kërkesë dhe të shkarkohen këta kryetar komunash. Të hapet rruga dhe mundësia kushtetuese që presidentja e vendit t’i shpallë zgjedhjet”, deklaron Baraliu.
Megjithatë, Baraliu thotë se zgjidhja më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri është dorëheqja e kryetarëve aktual.
Baraliu: Do të ishte më mirë që kryetarët në veri të japin dorëheqje
“Do të ishte më mirë të aplikohej modeli apo mundësia tjetër ligjore e krijimit të kushteve të zgjedhjeve të reja në komunat veriore përmes dorëheqjeve të kryetarëve të tanishëm aktual, të cilët janë edhe legal dhe legjitim nga zgjedhjet e fundit”, shton Baraliu.
Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor, derisa ka paralajmëruar se një takim i nivelit të lartë në dialog do të mbahet në shtator.