Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nisin hetimet ndaj Klinakut, rrezikon deri në 10 vite burgim

 
   

Ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, mund të dënohet me tri deri në dhjetë vite burgim.

Klinaku shkroi mbrëmë në një postim të tijin në Facebook që “më parë do ta vriste Albin Kurtin se sa t’ia lëshonte rrugën e të ikte nga Kosova”.

Ndërkaq sot Prokuroria Speciale ka urdhëruar Policinë e Kosovës që ta intervistojë klinakun nën dyshimin për “dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Kosovës”, ka thënë një zëdhënës i Prokurorisë.

“Ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, ka intervistuar sot, personin me inicialet, F.K, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që gjendet fajtor për këtë vepër penale mund të dënohet me minimumi tri vite burgim.

Ndërkaq, dënimi maksimal për veprën penale të dhunës ndaj përfaqësuesve të lartë të shtetit është dhjetë vjet.

“Kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës, pengon një apo më shumë nga personat e saktësuar në nenin 126 të këtij Kodi në ushtrimin e detyrave zyrtare apo i detyron të kryejnë apo të mos kryejnë ndonjë veprim nga fushëveprimi i detyrave të tyre, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet”, thuhet në Kod Penal.

Prokuroria Speciale ka thënë se pas intervistimit të mërkurën, Klinaku është liruar në procedurë të rregullt.