Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Treni përplas për vdekje pesë punëtorë të hekurudhës në Torino

Një tren në Itali përplasi për vdekje pesë punëtorë që po punonin në shina në zonën e Torinos. Dy të tjerë shpëtuan mrekullisht. Aksidenti ka ndodhur, siç raportojnë mediat italiane, pak pas mesnate në afërsi të stacionit hekurudhor të Brandizzo-s. Treni po udhëtonte me 160 kilometra në orë.

Mes viktimave, më i riu ishte 22 vjeç. Punëtorët po kryenin punë mirëmbajtjeje në stacion kur u përplasën dhe tërhoqën zvarrë me qindra metra. “Rfi shpreh dhimbje të thellë përballë asaj që ka ndodhur dhe shpreh ngushëllime dhe afërsi familjarëve të punëtorëve të ndjerë”, thuhet në njoftimin e Hekurudhave.

Kryetari i bashkisë Brandizzo, Paolo Bodoni reagoi për ngjarjen e rëndë: “Është një tragjedi. Nuk mund të përjashtohet që mund të ketë qenë një gabim komunikimi, në çdo rast do të duhet të pritet përfundimi i hetimeve. Për momentin nuk dihet identiteti i viktimave, por nuk janë bashkëqytetarë tanë”./abcnews.al