Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se lutet për Fatos Nanon, liderin historik të Partisë Socialiste të Shqipërisë që ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Nëpërmjet një statusi të postuar në rrjetin social “Facebook”, Rama vlerëson kontributin e ish-kryeministrit Fatos Nano për vendin dhe shoqërinë “gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”, ku edhe e ka dekoruar.
“Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”, shkruan ai.
Që të premten e kaluar, ish-kryeministri ndodhet në spital, për shkak të një problemi në mushkëri.
Fatos Nano lindi më 16 shtator 1952, në Tiranë. Ai u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit në vitin 1991, pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Socialisti fitoi në zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në 31 mars 1991. Pas dy muajsh dha dorëheqjen, për t’u zgjedhur sërish në vitin 1997 deri në vitin 1998 dhe nga viti 2002 deri në vitin 2005./TCH