Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fillimi i vitit shkollor i gjen shumicën e nxënësve pa libra

 
   

Kur ka mbetur edhe një ditë të fillojë mësimi, gjysma e nxënësve ende nuk janë të pajisur me libra. Nga rreth 300 mijë familje sa pritet të aplikojnë për subvencionim për tekstet mësimore, deri më tani sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë aplikuar rreth 92 mijë prindër.

Vendimi i MAShT-it që të subvencionojë për tekste shkollore dhe pajisje tjera për klasat 1-5 me 80 euro dhe 30 euro për si mbështetje për materiale të tjera shkollore pë klasat 6-9, del të jetë llogaritur gabim. Nga disa fatura që ka arritur të sigurojë KosovaPress nga prindërit, shihet se vetëm blerja e teksteve shkollore për klasën e katërt ka arritur shifrën 73 euro.

Ky vendim nga MAShT-i vazhdon të kritikohet nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, shoqëria civile por edhe nga prindërit. Sipas SBAShK-ut, fëmijët dhe mësimdhënësit do të ballafaqohen me sfida në mbarëvajtjen e mësimit.

Ndërkaq, prindërit shprehen me mendime të ndara sa i përket kësaj çështje. Për disa është mjaft problematike sigurimi i teksteve shkollore në një librari, e për të tjerë ky vendim i arsyeshëm.

Qytetari, Ymer Berisha, i cili ka regjistruar fëmijën në klasën e parë, thotë për KosovaPress se shuma e librave deri më tani ka shkuar në 57 euro, porse ende nuk i ka kompletuar.

“Djalin e kam regjistruar sivjet në klasën e parë, librat i kam blerë 57 euro, përveç gjuhës angleze. Nuk po e shoh ndonjë problem ose komplikim, sepse neve gjithmonë prindërit tanë na kanë blerë librat dhe materialin tjetër shkollor”, thotë Berisha për kp.

Ndërsa, qytetarja, Vjosa Berisha ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për këtë vendim. Derisa thotë se është krijuar tollovi në blerjen e librave, sipas saj, ka qenë përgjegjësi e MAShT-it t’i sigurojë librat për nxënësit.

“Vajza është në klasën e dytë tash, gjysmën e librave i morëm në një librari 25 euro… Sepse gjysmën tjetër i ka ble bashkëshorti tek libraria tjetër… Por, aspak i arsyeshëm (vendimi i MAShTI-t), sepse është bërë një tollovi e madhe, s’ka pas nevojë, sepse ato para nëse veç i kishin dhënë për libra, kanë mundur t’i marrin në shkollë, kështu po duhet të bartemi herë në një librari e herë në tjetrën, katër librari i kemi shikuar derisa i kompletuam të gjitha librat”, thotë Berisha.

Se ky vendim është i gabuar, e thotë edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj thotë se shuma e ndarë për fëmijët në vlerë prej 80 euro, 50 euro për tekste shkollore dhe 30 euro për pajisje të tjera, për klasën e parë deri në të pestën, nuk del të jetë ashtu. Sipas tij, edhe po të bëhen dyja bashkë, në disa raste nuk e mbulojnë shifrën për blerjen e librave.

“Deklarata… për tekste shkollore dhe 30 euro ‘humaniteti’ i tyre për mjete mësimore, edhe në takimin që kishim me kryetarët, ata janë angazhuar dhe kanë pyetur libraritë ekzistuese, del se jo 50 euro por edhe të bashkohen dy shumat ka gjasa se nuk mjaftojnë vetëm për tekstet shkollore. Dhe ky ‘humanitet’ konsideroj se behet për popullaritet, për të ju treguar se ja gjoja ne i ndihmojmë prindërit, e vërteta do të na tregojë që në fillim të shtatorit prindërit do jenë të zhgënjyer, këto para nuk do ju mjaftojnë për tekste shkollore. Po ashtu pse nuk i ka pyetur njerëzit a ka nëpër të gjitha qytetet librari”, thotë Jasharaj.

Mes tjerash, Jasharaj shprehet i shqetësuar se nxënësit do humbasin javë të tëra derisa të kompletohen me tekste shkollore.

“Me të ardhur e hëna do të na dalin shumë sfida, ngase për herë të parë në mënyrë shumë të çuditshme e të gabuar, ministrja Nagavci ka sjell këtë vendim, i cili është shumë i gabuar dhe i ngarkon dhe komplikon jetën prindërve, ngase jo të gjithë prindërit dinë të gjinden në e-Kosova, dhe jo të gjithë prindërit kanë xhirollogari, madje u shqetësova kur dëgjova se ka raste kur prindërit tanë i kanë të bllokuara xhirollogaritë nga përmbaruesit për shkak se janë në gjendje të rëndë ekonomike, dhe po shkuan ato para, prindi nuk i merr dot. Pra, është krijuar një situatë e cila nuk është dashur të ndodhë… Kështu kam frikë se tre javë do shkojnë me një pjesë me tekste e një pjesë pa tekste, dhe mësimdhënësit janë pastaj në stres, të fillojnë të shpjegojnë njësitë e reja apo çfarë të bëjnë, sepse nxënësit që nuk kanë tekste nuk janë në faj”, shton Jasharaj.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me përgatitjen me libra për vitin shkollor, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e kësaj teme.

Po ashtu, KosovaPress ka kontaktuar edhe me Këshillin e Prindërve, mirëpo as këta të fundit nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme (e mërkurë), Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 13 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore dhe materialet mësimore.

Ekzekutivi në mbledhjen e saj elektronike ka ndarë 6,323,380 euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5 dhe 6,617,340 euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9.