Gjykata Themelore në Pejë ka nxjerrë urdhër që të akuzuarit në rastin ‘Brezovica 1’ të bëjnë pagesën e dorëzanisë, e cila zëvendëson masën e paraburgimit, në rastet kur vlerësohet rreziku i arratisjes. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi familjarët e të akuzuarve në këtë rast, janë vënë në kurth nga Policia e Kosovës, pikërisht sot, kur morën rrugën për në gjykatë, për dorëzimin e të hollave. Një shumë e majme parash u sekuestrua nga Policia dhe kjo po konsiderohet si rast i paprecentë nga avokati i njërit prej të akuzuarve.
Gjykata kishte urdhëruar që vlera e dorëzanisë për secilin prej të akuzuarve të sillet nga 20 mijë deri në 50 mijë, para këto që do të duhej të dorëzoheshin në Gjykatë dhe të kryhen procedurat e tjera.
Por një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi zbatimi i urdhrit të Gjykatës u pamundësua dhe rrjedhimisht, familjarët e të akuzuarve nuk arritën të paguajnë paratë e dorëzanisë, por përfunduan në Polici.
Me urdhër që nuk dihet akoma prej kujt është lëshuar, Policia ka sekuestruar që ishin destinuar për t’i dorëzuar në Gjykatë dhe familjarët e të akuzuarve i ka shoqëruar në stacion policor që të dëshmojnë prejardhjen e këtyre mjeteve.
Kjo është konfirmuar edhe nga Artan Qerkini, avokat i njërit prej të akuzuarve, ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikolic (Braca), i cili në një prononcim për Sinjalin tha se ky rast është i paprecedentë në praktikën gjyqësore.
Qerkini tha se kushdo që ka dhënë urdhër për sekuestrimin e të hollave që do të duhej të dorëzoheshin sot, ka kryer vepër penale, duke mos lejuar që të zbatohet urdhri i Gjykatës.
“Ditën e sotme, familjarët i janë drejtuar Gjykatës Themelore në Pejë për të paguar shumën e dorëzanisë dhe me të marre fletëpagesat nga gjykata, familjarët e të pandehurve janë shoqëruar ne Polici me arsyetimin se duhet të dëshmojnë prejardhjen e mjeteve financiare. Gjykata në urdhër për dorëzani nuk ka urdhëruar që së pari të behet verifikimi i mjeteve e pastaj të paguhet dorëzania.
Vlera e dorëzanisë së caktuar nga gjykata për secilin prej të pandehurve sillet prej 20,000.00 deri në 50,000.00 euro.
Shumicës prej familjarëve u janë sekuestruar mjetet e destinuara për pagesën e dorëzanisë dhe në këtë mënyrë iu është pamundësuar zbatimi i urdhrit të gjykatës.
Kushdo që e ka urdhëruar këtë veprim sipas mendimit tim e ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, sepse me qëllim ka parandaluar zbatimin e urdhrit të gjykatës.
Ky rast është i paprecedent në praktikën gjyqësore të Republikës së Kosovës, sidomos nëse merret parasysh fakti se mjetet e paguara në emër të dorëzanisë janë ex-officio të bllokuara dhe me to nuk mund të disponohet.”, tha Qerkini.
Ndryshe, aktakuza për këtë rast, i cili njihet si “Brezovica I”, është ngritur më 9 dhjetor 2022 nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ku ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe 11 të akuzuarit tjerë, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi, marrje e dhënie ryshfeti e armëmbajtje pa leje.
Bratislav Nikoliq, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë.
Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, akuzohet për katër vepra penale: Keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.
Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, prokuroria e akuzon Nikoliqin se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, në Shtërpcë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.
Aktakuza e Prokurorisë i ngarkon edhe Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajramin dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysen Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.