Pas tashmë tri muaj “mosekzistence” të dialogut Kosovë-Serbi, 14 shtatori do t’i gjejë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, brenda një takimi të Nivelit të Lartë dhe trilateral në Bruksel. Këtë datë e njoftoi vetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Në qershor Kurti dhe Vuçiq ishin thirrur nga BE që “pa kushte” të takoheshin, por se Aleksandar Vuçiq ishte ai që kishte refuzuar kategorikisht takimin me Kurtin, ç’gjë ai quante “të pakuptimtë” ngase shprehej se “nuk mund të bisedoj me dikë që s’dëshiron të bisedojë”.
Megjithatë, ndërmjetësi special i BE-së, Miroslav Lajçak, në takimin e ditëve të fundit me dy liderët, njoftoi për përgatitje të një takimi të Nivelit të Lartë, me përqendrim në zbatimin “e të gjitha marrëveshjeve të dialogut” si dhe nga pala kosovare “zbatimin e deklaratës së 3 qershorit të BE-së”, deklaratë kjo që kishte kërkesë tri-pikëshe për shtensionim të situatës në veri.
Takimi i fundit ishte ai i 2 majit kur Ekipi Menaxhues kishte shpalosur draft-Statutin e Asociacionit të Komuanave me shumicë serbe, draft ky i cili ishte refuzuar në plotni nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e vlerësonte për “dëshirë të zjarrtë për Republika Srpska” në Kosovë, dhe në mëse 60 pika të saj si “anti-kushtetuese”.
Drafti që u soll në tryezë, thoshte Kurtu, në themel e shkel Kushtetutën e Kosovës derisa vazhdonte të elaborojë “tri shtyllat” për bëshmërinë e Asociacionit: Kushtetuetshmëria, Letra e Mogherin-it dërguar Isa Mustafës dhe Op/Ed i 31 janarit nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.
Kurti kishte paraqitur edhe “një draft-vizion” për Asociacionit që si referencë ka modelin kroat për të drejtat e pakicës serbe atje. Kjo gjë, nuk ishte pranuar nga pala serbe. Drafti i Ekipit të Menaxhimit, në anën tjetër, pasqyronte “dëshirë të zjarrtë” për Republika Srpska në Kosovë, tha ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehej se ishte nisur “për të bërë kompromise”, por se nëse Asociacioni nuk bëhet sipas vizionit të Marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015, “atëherë nuk ka më poentë të vazhdohen negociatat”.
“Në rregull, pa problem, nëse do të luani ashtu, atëherë s’ka as nevojë as kuptim për të marrë argumentimin seriozisht, kështu që është qasje e pakuptimtë. Ose të bëhet ajo çfarë është pajtuar më 2013 dhe 2015 ose kjo do të jetë fundi i gjithçkaje”, pati thënë Aleksandar Vuçiq.
Takimi ishte kryekëput i dedikuar për këtë draft-Statut, ndërsa Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i binte edhe borisë së paralajmërimit për një krizë të madhe në lidhje me kryetarët e rinj shqiptarë në komunat të banuara me shumicë serbe – gjë që saktësisht edhe ndodhi.
Bashkimi Evropian kishte planfikuar gjithashtu që më 5 dhe 6 qerrshor të zhvillohej sesioni i parë i draftimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe në nivel të ekspertëve, për ç’gjë ftesat i kishin pas të dyja palët. Por, për arsye të tensioneve që shpërthyen edhe në dhunë në fund të majit në pjesën veriore të Kosovës, një takim i tillë ishte shtyer.
Vuçiq dje u deklarua për takimin e rradhës me Kurtin, por se u shpreh se nuk pret zgjidhje, ngase siç beson ai, “Prishtina që kërkojnë arsye për konflikte”.
“Për të mos thënë se sa mijëra kilometra jemi larg formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, Kosovës nuk i shkon mendja që kjo të ndodhë”, është shprehur ai.