Mosmarrëveshja mes disa personave që dyshohet se nisi për një borxh sot në Balincë të Malishevës, përfundoi me fatalitet, ku për pasojë humbi jetën tragjikisht i riu Shkodran Krasniqi.
Për vrasjen e tij, tashmë janë ndaluar për 48 orë katër vëllezërit Kastriot, Fatmir, Xhavit e Asdren Gashi, vëllezërit e të ndjerit, Qendrim, Labinot dhe Dardan Krasniqi dhe një tjetër i dyshuar.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i dyshuari i tetë është Arsim Morina, 53-vjeçar.
Lidhur me rastin, njësitë policore kanë kryer edhe bastisje, teksa është sekuestruar një armë zjarri dhe një automjet.
Raportimin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, tha Elezaj dje.