Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoti i dërgon letër Borrellit, ankohet se Serbia s’po e zbaton këtë marrëveshje

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar një letër përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, në lidhje me Deklaratën për Zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë që u miratua më 2 maj në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë letër, Hoti ka shprehur shqetësimet e tij se ndonëse në këtë deklaratë palët janë pajtuar të angazhohen për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë dhe Serbia, të marrë përsipër hapjen e arkivave përfshirë edhe dokumentat e klasifikuara, mbi vendndodhjen e personave të zhdukur, kjo ende nuk ka ndodhur.

Ai ka thënë se janë bërë katër muaj që i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për hapjen e arkivave, por ende nuk ka ndonjë përgjigje teksa ka kërkuar ndihmë nga faktori ndërkombëtar për rritje të presionit ndaj Serbisë për zbatim të kësaj marrëveshjeje.

Ndryshe, më 2 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë në takimin e tyre në Bruksel në kuadër të dialogut, kanë miratuar Deklaratën për të Zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.