Një rapsod nga Drenica është arrestuar këtë të enjte nga Policia e Kosovës për shkak të kërcënimeve me jetë që ka bërë në adresë të kryeministrit Albin Kurti.
Nuredin Gashi, personi që shihni në foton e mësipërme, ka kërcënuar me vdekje kryeministrin e Kosovës përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
“E kam thënë dhe e them prapë, nuk e marr tragjike deklaratën e Faton Klinkaut sepse atdheu është më me vlerë sesa të gjitha. Konsideroj se çdo njeri i cili bën të këqija, siç bën Albin Kurti, dhe po të isha në vendin e tij, duhet të vritet patjetër sepse është tradhti ndaj atdheut. Konsideroj se partia e Kurtit dhe stafi i vet janë tradhtarë të vendit”, ka deklaruar ai.
Ai u ndalua me urdhër të Prokurorisë Speciale për shkak se kërcënimet në adresë të kryeministrit i ripërsëriti dhe në një emision televiziv në Kosovë mbrëmjen e 30 gushtit.
Madje në youtube ekziston dhe një këngë me çifteli e rapsodit nga Drenica, e publikuar tre vite më parë.
Në mbishkrimin e videos Gashi shkruan se: “Kush tradhëton atdheun e vetë e pret pushka me fishekë”.