Mjerisht përkundër retorikës së radikalizuar, nga liderët serbë dhe kërcënimet e tyre të vazhdueshme publike ndaj Kosovës, si dhe mos zbatimi i asnjërës prej marrëveshjeve ndërkombëtare, çuditërisht vazhdon të shoqërohet me heshtje të parikuperueshme nga ndërkombëtarët, të cilët jo vetëm që nuk kritikojnë Serbinë, por vijojnë ta kërcënojnë edhe më tej, vetëm Kosovën.
Kështu është shprehur, analisti politik Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, i cili thotë se, ndërtimi i paqes ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe rajonit në përgjithësi, duhet të jet qëllim afatgjatë edhe i ndërmjetsuesve amerikan dhe atyre të BE-së, si dhe shumicës së faktorit ndërkombëtar.
Sipas tij, kjo duhet të jetë sidomos tani, kur dihet se aktualisht, janë në diskutim tema mjaft të rëndësishme për të dy vendet dhe mbarë rajonin në përgjithësi, si trajtimi i pakicave dhe marrëdhëniet ndërshtetërore Kosovë-Serbi të cilat janë parësore edhe për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor
“Veçanërit në momentet nëpër të cilat po kalojmë, tani kur edhe dialogu është ndërprerë dhe marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve vazhdojnë të mbeten të brishta dhe pa shenja të qarta shpresdhënëse në horizont, për një paqe të qëndrueshme afatgjate. Prandaj ashtu sikurse edhe dihet, gjatë mese 12 viteve të funksionimit të dialogut Kosova përmes kontributit të vet modest, ka bërë edhe lëshime të dhimbshme, e shpesh her edhe të dëmshme për çështjen e shtetndërtimit të saj, duke u fokusuar veçmas në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe pakicës serbe me shpresën për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike brenda vendit dhe ato ndërshtetërore, mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë”, thotë Qarri.
Sipas tij, duke parë qëndrimet agresive të Serbisë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës, ka ardhur koha që të bëhet një trajtim më i gjerë dhe më i thelluar në aspektet juridike, politologjike dhe historike të konfliktit gati një shekullor shqiparo-serb në Ballkanin Perëndimor.
Qarri shton se, “mostrajtimi parimor dhe i barabart i të dy vendeve, nga ndërmjetsuesit e BE-së dhe faktori ndërkombëtar, është bërë pengesë e patejkalueshme për arritjen e një paqeje afatgjate dhe të qëndrueshme, në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor, Marrëveshje e cila ndoshta do të mund të arrihej, vetëm përmes hapave konkret të integrimit në BE, si mundësi dhe rast ideal për sigurimin e paqes dhe tejkalimin e konfliktit, Kosovë-Serbi”.
“Pra duket se para së gjithash duhet thelluar në shqyrtimin e zhvillimeve kyçe të konfliktit të gjatë mes Serbisë e Kosovës dhe ofrimit të një analize të mirëfillt hulumtuese për tejkalimin me sukses të historikut mese një shekullor të marrëdhënieve konfliktuoze mes Serbisë dhe Kosovës, sepse populli dhe shteti i Kosovës, vërtet meritojnë një të ardhme më të mirë se sa e kaluara nën okupkim dhe segregacionin serbojugosllav, duke u bërë pjesë integrale e Europës dhe me aspirata të qarta për të hyrë në BE. Kosova në fakt është vendi më demokratik në rajon, e cila vazhdon të jet shembull në Ballkanin Perëndimor, për fushat e promovimit të demokratizimit, përpjekjeve për integrime europiane si dhe ato që lidhen me fushën e ripajtimit ndëretnik, akt që nuk ka shembull në rajon, ku pakicat trajtohen deri në “diskriminim” pozitiv, me trajtimin shembullor që u siguron pakoja e Ahtisarit dhe vet ligjet moderne evropiane të Republikës së Kosovës”, përfundon Qarri.