Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pse kërcënohet kryeministri Kurti, eksperti i sigurisë “zbulon” kush ka frikë nga ai

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti brenda muajit është kërcënuar dy herë publikisht.

Këshilltari i kryeministrit, Aziz Bici, thotë se Kurti po kërcënohet publikisht nga njerëz që po flasin në emër të veteranëve të luftës dhe që përfaqësojnë ata.

“Po bëhet hera e dytë që brenda rreth një muaji Kryeministri i Republikës së Kosovës po kërcënohet publikisht, dhe në të dy rastet ato kërcënime vijnë nga njerëz që po flasin në emër të veteranëve të luftës dhe që përfaqësojnë ata. Në fund të muajit korrik, ish-deputeti i AAK-së dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili duke folur për veteranët dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë, kërcënonte institucionet dhe kryeministrin ndër të tjerash kishte thënë se “kur vijnë ata, nuk vijnë për me i tha puna e mbarë”. Ndërkaq dje, u.d. i Kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku fillimisht tha se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, e më pas, në vend që të reflektojë, e përsëritë kërcënimin e njëjtë”, ka shkruar Bici.

Ai tutje thekson se kjo gjuhë është e papranueshme veçanërisht e papërgjegjshme, e padinjitetshme, dhe jokombëtare, për dikë që flet ose përfaqëson veteranët e luftës.

Gjersa, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku, është intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratën e tij për kryeministrin Albin Kurti, e cila u vlerësua si kërcënim ndaj tij, një person është arrestuar për qëllim të njëjtë.

Një rapsod nga Drenica është arrestuar këtë të enjte nga policia e Kosovës për shkak të kërcënimeve me jetë që ka bërë në adresë të kryeministrit Albin Kurti.

Nuredin Gashi, personi që shihni në foton e mësipërme, ka kërcënuar me vdekje kryeministrin e Kosovës përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Ai u ndalua me urdhër të Prokurorisë Speciale për shkak se kërcënimet në adresë të kryeministrit i ripërsëriti dhe në një emision televiziv në Kosovë mbrëmjen e 30 gushtit.

Duke folur rreth kërcënimeve të fundit dhe masave të sigurisë që duhet të ndërmarrë kryeministri, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se rrethanat e zhvillimeve politike në Kosovë janë për habi.

Sipas tij, Kurti po bën mos që t’i jetësoj ligjet e Kosovës në territorin e saj, e sidomos në shtrirjen e sovranitetit të ato pjesë të veriu që iu kishin premtuar Serbisë.

“Rrethanat e zhvillimeve politike që po zhvillohen tani në Kosove janë për t’u habitur, e sidomos kur e kemi situatën konfliktuoze me Serbinë, që një kohë të gjatë e deri më tani të pazgjedhur, e kur në këto rrethana qëndrimet e opozitës në shumë raste janë më të përafërta me politikat e Serbisë të Vuçiqit, se me të Kryeministrit Kurti, i cili po bën çmos t’i jetësojë ligjet e Kosovës në territorin e saj, e sidomos të shtrirjes së sovranitetit në ato pjesë të veriut, të cilët janë pjesë vetë ata qeveritarë të mëparshëm sa ishin në pushtet që nga çlirimi e deri sa erdhi në pushtet kjo qeveri, ato komuna të veriut iu kishin premtuar Serbisë, se do të ua japin ato pjesë, prandaj duke i pasur këto rrethana parasysh, tani Vuçiq është i mllefosur shumë në Albin Kurtin, pse nuk po i realizon ato premtimet e qeveritarëve kosovar të mëparshme, e përkundrazi ky kryeministër po e shtrin sovranitetin e vendit edhe në ato komuna të veriut deri në kufi me Serbinë, sepse ato pjese janë të Kosovës, me jetësimin e ligjeve të Kosovës dhe me valëvitjen e flamujve të Kosovës nëpër ato katër komuna në veri, që më parë fare nuk kanë ekzistuar flamujt e Kosovës në ato pjesë”, shprehet Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Kujtojmë, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte kërcënuar edhe në vitin 2021, madje ai ka qenë i ruajtur nga Njësia Speciale Kosovës.

Tërnava, nuk i konsideron të rastësishme kërcënimet ndaj tij.

Sipas tij, opozita ia ka frikën Kurtit.

“ Prandaj jo rastësisht kryeministrin e Kosovës për herë të dyte brenda muajit po e kërcënojnë me vdekje, sepse opozita tani po e ka frikën se kryeministri Kurti, ashtu si e ka filluar qeverisjen e që po zgjat rreth tri vite, nëse e vazhdon luftimin e të gjitha të këqijave që iu kanë bërë këtij vendi, nga ish- qeveritarët e mëhershëm nga çlirimi e deri më tani, shumicës së tyre do t’iu konfiskohet pasuria dhe po ata do të përgjigjen para gjyqeve për veprat e tyre kriminale të kryera ndaj shtetit të Kosovës. Institucionet e shtetit të Kosovës duhen të bëjnë çmos me masat e ndërmarra të sigurisë që t’ia sigurojnë jetën e kryeministrit Kurti, qoftë edhe me masa të sigurisë shtesë. Shteti i Kosovës me masat e ndërmarra po synon drejt shteteve demokratike të BE, por për të arritur deri aty duhen edhe shumë kohe dhe mund me vite, e sidomos ta spastrojë këtë vend nga krimet e rënda mu nga ata që sot llogariten multi milionerë me shumë miliona të inskenuara nëpër banka të shteteve të huaja, dhe pa u spastruar ky vend njëherë e mirë nga ato krime të kryera qysh pas çlirimit e deri më tani, vështirë se do ta kemi një përkrahje që të pranohemi në BE”, shton Tërnava.