Së shpejti do të ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarve për masakrën e Dubravës. Këtë e konfirmoi për RTK-në prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina.
Ai tha se hetimet për këtë masakër tashmë kanë përfunduar.
“Kemi arrestuar një të dyshuar për masakrën e Dubravës, hetimet janë duke u zhvilluar që një kohë të gjatë. Ne, veç kemi përfunduar hetimet në këtë rast dhe jemi në fazën e vlerësimit të provave për mundësinë që brenda javësh, për të mos thënë muajsh, të ngrejmë një aktakuzë në këtë rast”, tha Morina për RTK-në.
Rasti i dytë tjetër sipas tij është ai i Staradranës, ku janë vrarë 16 civilë.
“Edhe në atë rast kanë përfunduar hetimet, jemi në përpunimin e dosjes me mundësinë që brenda javësh ta ngrisim aktakuzën”, shtoi ai.
Por problemet politike, si bashkëpunimi me Serbinë, janë faktori kryesor që pengojnë hetimin e këtyre rasteve.
“Fatkeqësisht ne kemi vetëm mundësinë e parë – mbledhjen e provave në territorin e Kosovës. Me Serbinë mungon bashkëpunimi që fatkeqësisht është pengesë e madhe në punën tonë. Të gjithë të pandehurit janë të arratisur dhe presupozojmë e për disa edhe e dimë se jetojnë në Republikën e Serbisë”, nënvizoi Morina.
Prokurori Special tha se me rritjen e numrit të hetuesve është mundësuar mbledhja e fakteve dhe se po bëhet më shumë punë për zbardhjen dhe dënimin e kryerësve të krimeve të luftës.