Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Jakim Nedellkov: Koncepti i ri mësimorë, sfidë për mësimdhënësit

 
   

Sindikata e Arsimit dhe Shkencës vlerëson se mësimdhënësit në vitin e ri shkollor 2023-24 do të përballen me sfida të ndryshme në realizimin e procesit mësimor, posaçërisht kur bëhet fjalë për zbatimin e konceptit të ri mësimor.

Sipas kreut të SASHK-ut, Jakim Nedellkov jo të gjitha shkollat fillore kanë infrastrukturë të duhur për zbatimin e këtij koncepti. Gjithashtu Nedellkov tha se janë drejt finalizimit të marrëveshjeve kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm të cilat parashikojnë benefite në favor të punonjësve të arsimit. Në një intervistë për Alsat, Nedellkov zbulon se ndër risitë që përmbajnë marrëveshjet kolektive është edhe pagesa e transportit për mësimdhënësit që nuk kanë transport të organizuar publik.

Nedellkov me çfarë sfida do të përballen mësimdhënësit me fillimin e vitit të ri shkollor 2023-204? A ka hapësirë për grevë në arsim?

-Sfida si çdo vit, do ketë edhe këtë vit, para së gjithash me zbatimin e konceptit të ri që tashmë kalon edhe në lëndë mësimore dhe këtë vit e kemi nga klasa e gjashtë konceptin e ri. Sfidë do jenë lëndët e reja mësimore që janë sublimim nga më shumë lëndë, si do realizohet mësimi, si do përshtaten nxënësit me mësim të kombinuar ku një lëndë ka më shumë mësues, si do formohet nota, e kështu me radhë, numri i orëve mësimore, realizimi i orëve, përgjithësisht do jetë mjaft interesante. Interesant në kuptimin e përshtatjes me ndryshimet dhe reformat dhe përgjithësisht nëse kjo reformë e pritur përmes konceptit të ri, do sjellë përmirësime serioze dhe rezultate. Kur mendojmë për rezultate më të mira, e dimë se si shtet, ne qëndrojmë keq në testimet ndërkombëtare.
Nuk do duhej të ketë frikë sepse edhe opinioni edhe mësuesit janë informuar se me rrogat e shtatorit në arsim, pra në shkollat fillore dhe të mesme ka rritje të rrogave. Nëpërmjet negociatave arritëm të marrim 15 %. Megjithatë, kjo nuk i rrit pagat kushedi sa, duke pasur parasysh inflacionin real që po ka rritur çmimet në shitje me pakicë. Megjithatë trendi i rritjes së pagave në sektorin e arsimit do të vazhdojë. Presim që të vazhdojë në vitin 2024/25 rritja dyshifrore e pagave në arsim, kështu që mendoj se nuk duhet të ketë panik në lidhje me rritjen e pagave, por pyetja është se në çfarë përqindje, nuk i dimë çmimet dhe si do të jetë inflacioni.

A mund të thuhet se do të jetë problem në vete koncepti i ri për arsim për nxënësit deri në klasën e gjashtë? Sa shkollat tona janë të përgatitura, kam fjalën për infrastrukturën, për ta zbatuar këtë koncept?

– Ne e kemi vërejtur këtë problem shumë më herët se me konceptin e ri ajo që kërkohet me siguri do të ketë probleme serioze, para së gjithash probleme me hapësirat. Jo çdo shkollë mund të hapet në orë të caktuar nëse punohet në dy turne. Kemi shkolla ku kemi mësim të organizuar me tre turne, kjo do të thoshte pamundësi absolute për të realizuar konceptin, sepse planifikojnë të jetë 6 orë një turn. Ky është njëri problem, problemi i dytë është se janë planifikuar seksione në mësimdhënien e aktiviteteve të nxënësve që mësuesit do t’i realizojnë brenda orarit të punës. Megjithatë, kemi probleme me hapësirat, ku për momentin nëse kemi 30 mësimdhënës nga ky turn, do të thotë se duhet të kemi edhe 30 hapësira, që të gjithë në një moment ta bëjnë punën e tyre. Me siguri do të kemi probleme edhe me nxënës ku secili do të dojë nxënësit më të mirë ti marrë në seksionin e vet, për të punuar me ta. Unë do t’iu bëja thirrje shkollave, Ministrisë së Arsimit dhe Byrosë së Zhvillimit që të jenë maksimalisht fleksibël në organizimin e mësimdhënies në këto paralele ku zbatohet koncepti, sepse është shumë e lehtë, ose më e thjeshtë në kabineti apo zyra të parashikosh diçka se si të funksionojë ndërsa kur realizohet në praktikë është krejt diçka tjetër. Për këtë arsye do të apeloja që mos t’i përmbahemi në mënyrë të përpiktë orarit të punës, por duhen të gjithë të fokusohen në realizimin maksimal të aktiviteteve programore të planifikuara dhe të paramenduara, që do të sjellin cilësi shumë më të lartë të mësimdhënies.

Gjatë muajit shtator, ju keni paralajmëruar se do të nënshkruhen marrëveshjet kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm, çfarë përmbajnë këto marrëveshje. A mund të na zbuloni diçka prej tyre?

– Ka shumë gjëra që i kemi kërkuar, që i vendosëm në letër si propozim- marrëveshje kolektive. Konkretisht, po mundohemi që konviktet e studentëve dhe nxënësve t’i vendosim në kornizë që të ketë marrëveshje kolektive për to, mundohemi përmes marrëveshjes kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm që edhe këta punonjës t’i gëzojnë të njëjtat të drejta si kolegët e tyre. Kemi vlerësim për udhëheqjen klasor, kemi propozim për rregullimin e udhëtimit zyrtar në lidhje me ekskursionet e nxënësve, më tej, mësim në natyrë, edhe kjo nuk ishte e rregulluar deri më tani. Mësimdhënësit ishin të lënë në mëshirë të drejtorit, gjegjësisht agjencive turistike, sa kënaqësi do t’u ofrojë për këtë dhe ndoshta një sërë kërkesash të tjera që presim të realizohen. Ndoshta, realizimi më i madh do të ishte pranimi i kërkesës sonë për subvencionimin ose pagesën e transportit të punonjësve që udhëtojnë nëpër shkolla më larg vendbanimit të tyre, veçanërisht në zonat rurale ku nuk ka transport publik. Ndoshta nuk ka as udhëtime me furgon, në këtë rast vërtet duhet t’u ndihmojmë këtyre të punësuarve. Do të thosha se duhet në mënyrë të sigurt të vijnë në vendet e tyre të punës, respektivisht ato shpenzime që i kanë dhënë deri më tani e që janë shpenzime jo të vogla në raport me të ardhurat e tyre, të subvencionohen në një farë mënyre.