Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Nënshkruhet udhëzimi administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike

 
   

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për trajtimin mjekësor jashtë institucioneve publike.

Sipas njoftimit të MSh-së, në këtë udhëzim janë përditësuar dhe avancuar rregullat dhe procedurat nëpërmjet të cilave Qeveria e Kosovës do të përkrahë financiarisht qytetarët për shërbime shëndetësore të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore.

“Me UA Nr: 03/2023, përveç që zgjerohet gama e shërbimeve për pacientët që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, evitohen zbrazëtirat që pamundësojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë dhe sigurojnë një proces të rregullt dhe transparent. Gjithashtu, të gjithë qytetarëve rezident sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës u sigurohet e drejtë të qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor, respektivisht kur paraqiten kërkesa për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike”, është bërë e ditur në njoftim.

Gjithashtu është theksuar se përmes këtij udhëzimi çdo qytetar i Republikës së Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro brenda një viti për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

“Personat me status të invalidit të luftës, anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve, viktimat civile të luftës do të kompensohen në shumën maksimale, 100%, të vlerës së faturës. Gjithashtu, njëjtë do të përfitojnë edhe personat deri në 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që janë përfitues të ndihmës sociale. Personat mbi moshën 18 vjeç kompensohen me 70% të vlerës së çmimit referent apo mesatares së çmimit të tri profaturave për trajtim mjekësor. Ndërsa, për personat e diagnostikuar me sëmundje malinje mbi moshën 18 vjeçare është rritur vlera e kompensimit”, është shtuar në njoftim.