Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sadiku: Nga e hëna deri të shtunën pesë barnatore kujdestare, të dielën e festave 10

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë se me hyrjen në fuqi të rregullores së re, Kryeqyteti do të ketë barnatore që do të kenë kujdestari. Kështu, nga e hëna deri të shtunën, 5 barnatore do të ketë kujdestari me orar të plotë, ndërsa të dielave dhe gjatë festave do të punojnë 10 barnatore me orar 24.

Sadiku ka thënë se është e papranueshme që për 24 vite, Prishtina nuk ka pasur barnatore kujdestare pasi në Kryeqytet barnatoret punojnë deri në ora 2 pas mesnatës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Sadiku ka thënë se familjari për ta siguruar një ilaç është dashur të shkojë në një qytet tjetër.

“Unë jam shumë i lumtur që Prishtina 24 vjet pas lufte ka rregullore e cila e rregullon punën e kujdestarive të barnatoreve në Kryeqytet. Kjo ka ardhur si iniciativë që unë e kam pasur me një grup të qytetarëve, një qytetare e cila me tregoi një shqetësim të vetin e cila me tha ‘dje kam qenë me fëmijën në spital edhe më është dashur që të blej një ilaç dhe nuk ka pasur barnatore në Prishtinë, është dashur që të shkojë në një qytet tjetër’. Nuk ma murr mendja që ishte situata e tillë, e kemi bërë një hulumtim dhe doli që nuk ka as një barnatore orar e cila punon 24 orë dhe disa që janë afër QKUK-së punojnë deri në ora një ose dy”, ka thënë Sadiku.

Të papranueshme mungesën e barnatoreve 24 orë, Sadiku e quan për faktin se Prishtina është kryeqendër dhe që funksionon Qendra Klinike Universitare e Kosovës të cilët japin shërbime 24 orë.

“Duke pasur parasysh që Prishtina është një qendër ku funksionon Qendra Universitare e cila i ka 33 klinika ose më shumë e punon 24 orë dhe kemi 3 Qendra të Mjekësisë Familjare që japin shërbime 24 orë. Gjithë këto shërbime mjekësore mos me pas një barnatore në rast emergjent me ble një bar është e pa tolerueshme. Kur komunat shumë më të vogla si Lipjani kanë kujdestari në barnatore”, u shpreh Sadikut, teksa tregoi edhe për përkrahjen që kanë marrë nga Odat përkatëse.

“Dhe kemi filluar pastaj debatin me akterët e rëndësishëm për këtë fushë siç janë Oda Farmacisteve të Kosovës, Shoqata e Farmacistëve të Kosovës dhe kemi bërë një grup punues i cili ka punua 2-3 muaj dhe ata kanë dhënë një draft i cili ka qenë në debat publik, ka qenë një muaj në debat publikë dhe kemi organizuar edhe debat publik edhe në asamblenë e kryeqytetit ku kanë qenë mbi 30 veta dhe ka pasur sugjerime dhe vërejtje”.

“Pas vërejtjeve të tyre, ne më 4 shtator në mbledhjen e asamblesë e kemi aprovuar dhe tash presim fillimin e zbatimit të tij. Ky orar parash që barnatoret të punojnë ditëve të javës nga e hëna deri të shtunën me orar 07:00-21:00 dhe kujdestaria me qenë prej 21:00 deri në ora 07:00 në mëngjes. Gjatë këtyre ditëve do të ketë pesë barnatore kujdestare, ndërsa të dielën dhe ditëve të festave do të ketë kujdestari 24 orë dhe do të jenë 10 barnatore në kryeqytet që do të kujdestarojnë”, u shpreh ai.

Sadiku iu është përgjigjur edhe kritikave të Agjencisë së Kosovës për Produkte Medicinale, të cilët e kanë cilësuar këtë rregullore pa bazë ligjore.

“Zyra ligjore ka dërguar dej çështjen, unë po ju jap reagimin qe ka qenë publikë, është që sipas legjislaturës në fuqi, përcaktimi i orarit të punës për subjektet afariste, ku hynë edhe barnatoret është në kompetencë të nivelit lokal, komunave. Edhe po them tjetra janë disa komuna, rreth 10 që kanë orare të barnatoreve, pse nuk ka pasur reagim zyrtar të APMK-së në qoftë se ka qenë anti-ligjor. Edhe vetë reagimi i zyrës ligjore mund të shkon që është një kompetencë e përcaktuar për nivelin lokal dhe sigurisht që ne jemi të interesuar që t’i zbatojmë ato kompetenca të nivelit lokal”, ka thënë Sadiku.