Më 8 shtator të këtij viti dy zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, kanë qenë objekt hetimi nga Krimet Ekonomike janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën. Të njëjtit dyshohen se punësuan kundërligjshëm 10 persona në këtë institucion.
Bëhet fjalë për ish-drejtorin e QPS-së, Vehbi Mujkun, Valbona Makiqin, shefe e Njësisë së Shërbimeve Sociale në këtë qendër dhe shefin e personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu- Hertica.
Së fundmi, ka reaguar ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku ku përmes një postimi tha se publikimet janë tentim i qëllimshëm për njollosje.
“Së pari ju falenderoj secilin prej jush për interesimin dhe përkrahjen e sinqertë, si dhe ju kërkoj falje për shqetësimin e ndjerë, të krijuar nga të tjerët për mua. Ajo çfarë është publikuar në medie këto dy ditë, është vetëm tentim i qëllimshëm për njëllosje nga individë të caktuar. Sot do të kursehem e do të mjaftohem duke thënë se e drejta për tu hetuar secili është e padiskutueshme dhe do ta përkrahi deri në momentin e fundit” , ka thënë ai.
Ai ka thënë se është i pastër nga këto akuza, dhe se fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.
“Dua të ju siguroj se shërbimi im ndaj vendit ka qenë dhe do të jetë maksimal. Përderisa për ato që është shkruar, mund të them se jam i pastërt si loti, për çka fjalën e fundit do ta thotë drejtësia. Vullneti, tentimi apo fuqia ime për të ndikuar në drejtësi është zero. Nuk do të ndalem në shërbim të drejtë dhe me integritet për vendin nga cilado pozitë që jam, sepse e kemi obligim profesional dhe moral. E paçit shëndetin, familjen e lumtur në shtëpi, miqtë e dashamirët afër, e drejtësinë në krah secili. Do ta nisni çdo ditë mirë kështu si unë” – ka shkruar ish-drejtori i QPS-së.
Përveç Mujkut, në ndalim policor përfunduan edhe shefi i Personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica dhe Shefja e Njësisë së Shërbimeve Sociale në këtë qendër, Valbona Makiqi.
Për ndalimin e Mujkut dhe Makiqit, ka njoftuar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës – Departamenti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të QPS-së në Prishtinë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenin 414 të KPRK-së, ngase të njëjtit dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion, si dhe në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.