Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shqipëri-Poloni/ Tirana “vishet” kuqezi, ja formacioni i mundshëm i Kombëtares

Mijëra tifozë nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe jo vetëm janë mbledhur në Tiranë për të mbështetur Kombëtaren Shqiptare të futbollit që sonte luan përballë Polonisë.

Bulevardi dhe të gjitha rrugët lidhëse me stadiumin janë të mbipopulluara nga tifozët kuqezi, të cilët me thirrje e këngë patriotike presin nisjen e ndeshjes.

Masat e policisë janë të shtuara për të garantuar rendin dhe sigurinë, megjithatë, nuk ka patur asnjë problematikë deri në këto momente.

Për të hyrë në stadiumin “Air Albania”, policia ka krijuar dy vija kontrolli në të gjitha pikat e hyrjes.

FORMACIONI I MUNDSHËM I SHQIPËRISË NDAJ POLONISË

Sylvinho pritet të luajë me të njëjtin formacion, si me Çekinë ose të ketë ndonjë ndryshim të vogël ndaj Polonisë sot në mbrëmje. Duket se titullarët kanë bindur me lojën e tyre dhe gëzojnë besimin e trajnerit të Kombëtares.

Berisha mendohet të jetë sërish në portë. Në mbrojtje priten Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj, por në vend të këtij të fundit mund të jetë edhe Balliu.

Në mesfushë parashikohet një grup lojtarësh nga ekipet e Serie A, Ramadani, Asllani dhe Bajrami. Sulmi mendohet të ketë Cikalleshin në majë i ndihmuar nga krahët nga Asani dhe Seferi, por mund të shikojmë edhe Uzunin nga minuta e parë.

Sylvinho ka mbajtur të njëjtë titullarët në takimet me Ishujt Faroe dhe Çekinë, por vetë trajneri ka thënë gjithmonë se në fushë do të jenë ata që gëzojnë formën më të mirë.