Ndeshja Rumani -Kosovë është ndërprerë pasi në stadium nga tifozët është shfaqur një slogan fashist dhe mohues i realitetit të Kosovës së pavarur. Në atë slogan shkruan “Kosova është Serbi”, dhe kjo ka bërë që ndeshja të ndërpritet menjëherë.
Për këtë slogan ka reaguar edhe Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ai ka thënë se nuk ka slogan që e ndryshon realitetin e Kosovës.
”S’ka sllogan që e ndryshon realitetin tonë! Që nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova është shtet i pavarur, ndërkaq, që nga 3 maji i vitit 2016, Kosova është anëtare me të drejta të plota në UEFA. Slloganet politike, koret fashiste, fishkëllimat e sharjet drejt djemve tanë dhe Kosovës në Rumani – nuk na ndalin“.
”Kosova, si shtet dhe si kombëtare futbollistike, do të paraqitet me krenari gjithandej nëpër botë, edhe ku nuk na duan e posaçërisht aty. Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe nuk dorëzohemi para fashistëve të vegjël turbofolk. E përjetshme është Kosova”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.