Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Maloku për dialogun: Takimi i nesërm jo aq premtues

 
   

Opinionisti Albinot Maloku, ka folur për deklaratat e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, dhe emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Maloku tha se deklaratat e Escobarit, përveç se presion, zbuluan edhe një raport jo të shëndetëshëm nga ajo çka ka shkruar Kurti për bisedën telefonike për të cilën tha se ka premtuar angazhim aktiv në dialog dhe takimin e nesërm.

“Ndërsa në anën tjetër kemi diplomatin Escobar që nxjerr një të vërtetë të tjetër ku thotë se nuk kam marrë zotime nga kryeministri Kurti, përveç prezencës së tij në këtë takim. Kjo lë përshtypje që takimi nuk është aq premtues sa do të duhej të ishte në rrethanën aktuale në të cilën ndodhet vendi, sidomos me masat që po bëhen peshë e rëndë për Kosovën dhe për përparimin e saj”, tha Maloku.

Tutje, ai tha se përveç presionit ndaj Kurtit, deklarata e Escobarit ka treguar një gjendje josinqeriteti të kryeministrit, teksa shtoi se Kosova për herë të parë është në fazën më të pavolitshme për sa i përket dialogut me Serbinë.

“Për herë të parë jemi në fazën më të pavolitshme për faktin që po përballemi me shumë rrethana, konkretisht me dy të njohura, BE-në me masa dhe me Serbinë që vazhdon të jetë faktor destruktiv dhe jo i vullnetshëm për të jetësuar atë që e ka dhënë “po-në”, por jo edhe nënshkrimin”, tha ai.