Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa ndonjë sukses, duke theksuar se zoti Kurti është duke iu shmangur detyrimeve siç është ai për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Të dy udhëheqësit u takuan në Bruksel në një raund të ri bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, mes tensionesh të larta dhe thirrjeve të diplomatëve perëndimorë për shmangien e veprimeve që mund të nxisin një ripërtëritje të dhunës në rajon.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç qëndruan në Bruksel në muajin qershor por nuk pati ndonjë takim të përbashkët pas tensioneve që shpërthyen në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave me mbështetjen e policisë.
Protestuesit serbë u përleshën me forcat e sigurisë dhe 93 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja mbetën të plagosur.
Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Ajo pret që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën në qershor për shkak të situatës në veri.
Në muajin gusht, ligjvënës amerikane dhe evropianë paralajmëruan se diplomacia perëndimore nuk po ushtron trysni të mjaftueshme mbi presidentin serb Vuçiç, i cili ndonëse pohon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim u tij, vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Moskën dhe refuzon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Vëzhgues perëndimorë tërheqin vërejtjen se Kremlini mund të përdorë Beogradin për të rindezur konfliktet në Ballka, për të tërhequr vëmendjen e botës nga lufta e tij në Ukrainë./VOA