Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ditë më parë është pajisur me një veturë të tipit LAND Range Rover, veturë kjo e cila ishte konfiskuar nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Kjo veturë së bashku edhe me dy të tjera, i takonin Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, të cilat iu konfiskuan pas arrestimit të tij.
Drejtori i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Fadil Bunjaku në një intervistë për Telegrafin ka thënë se vetura të tilla të konfiskuara u janë dhënë në shfrytëzim të gjitha institucioneve shtetërore, e jo vetëm MPB-së.
E lajmin që bëri bujë për veturën e Peqanit, Bunjaku e ka arsyetuar me faktin se është person publik.
Fadik Bunjaku, drejtori i Drejtoratit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar /Foto: Ridvan Slivova/
“Në fakt njeriu pak më i njohur dhe ka bërë ndikim mediatik, përndryshe kerri i është dhënë ministrisë dhe normal e vozit kabineti, stafi dhe kushdo që ka nevojë. Nuk ka marr automjet vetëm Xhelal Sveçla, por të gjitha ministritë dhe institucionet tjera. Sepse përveç ligji që e lejon dhënien në shfrytëzim të institucioneve është nxjerr dhe një memorandum i bashkëpunimit me Kryeprokurorit të Shtetit, Këshillit Gjyqësorë dhe Këshillit Prokurorial ku thuhet që mjetet të jepen në shfrytëzim sa më shumë institucioneve të Kosovës për shkak të kursimeve buxhetore”, ka shpjeguar Bunjaku.
Sipas tij, vetura e konfiskuara u jepen institucioneve në shfrytëzim të përhershëm.
“Ato automjete regjistrohen në emër të atij institucioni të cilit i jepet në mënyrë të përhershme”, tha ndër të tjera drejtori Bunjaku.
Ndryshe, edhe nga MPB-ja kishin konfirmuar për Telegrafin se vetura e lartpërmendur tashmë është në shfrytëzim.
“MPB për shkak të mungesës së veturave ka kërkuar nga agjencia dy vetura dhe kërkesa jonë është aprovuar për një veturë që tashmë është në përdorim nga Ministria, sipas dispozitave të parapara ligjore”, kishte thënë zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi.
Ajo pati thënë se edhe veturat e tjera të konfiskuara u jepen në shfrytëzim institucioneve të ndryshme të shtetit.
Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, e ka urdhëruar Burdushin që më 18 shtator 2023 të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.