Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar ndarjen nga jeta të publicistit dhe gazetarit të njohur Pëllumb Bataj.
Në një reagim në Facebook, Berisha ndërsa i ka shprehur ngushëllime familjes së gazetarit, ka përkujtuar dhe momente nga jeta e Pëllumb Batajt, dhe përfshirjen e tij në lëvizjet e viteve ’90.
“Fill pas përmbysjes së shtatores së diktatorit në Tiranë, kur falangat terroriste rrëmbyen armët kundër forcave demokratike, Pëllumb Bataj me guxim të veçantë publikoi artikullin e tij të mirënjohur “Blloku i Blinduar” në të cilin ai sulmonte bllokmentet hoxhist që kishin zgjedhur të mbroheshin me tanke kundër popullit të revoltuar”, kujton Berisha.
Reagimi i Berishës
Homazh për gazetarin e njohur Pëllumb Bataj!
Të dashur miq, Pëllumb Bataj publicist dhe gazetar i njohur, mbylli sytë përgjithmonë. Pellumbi ishte ajo plejadë e gazetarëve të cilët në vitet ‘90 nën ndikimin e glaznosnit dhe ndryshimeve të mëdha që pësoi europa lindore, u përpoq të ndikonte në transprencën në vend dhe me shkrimet e tij u rrjeshtua në mbështetje të forcave demokratike.
Në një nga momentet më kritike të revolucionit demokratik, fill pas përmbysjes së shtatores së diktatorit në Tiranë, kur falangat terroriste rrëmbyen armët kundër forcave demokratike, Pëllumb Bataj me guxim të veçantë publikoi artikullin e tij të mirënjohur “Blloku i Blinduar” në të cilin ai sulmonte bllokmentet hoxhist që kishin zgjedhur të mbroheshin me tanke kundër popullit të revoltuar.
Ai qendroi i papërkulur në bindjet e tij demokratike dhe vazhdoi serinë e shkrimeve në mbrojtje të forcave demokratike. Atdhetar, njeri i dashur e plot humor, Pëllumb Bataj do i mungojë përgjithmonë familjes të afërmve dhe miqve të tij.
Unë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve dhe të afërmve si dhe dhe mirënjohjen e thellë për miqësinë dhe mbështetjen e çmuar dhe i lutem zotit qe shpirti i mirë i Pëllumb Bataj të gjejë paqen e merituar.