Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Aktakuzë për vrasjen e 16 shqiptarëve në Istog ndaj një serbi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj një pjesëtari të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile, në vitin 1998.

Njëherit, bëhet e ditur se janë siguruar prova të mjaftueshme që ky i fundit ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e 16 civilëve të nacionalitetit shqiptar, në fshatin Staradran të Komunës së Istogut, më 1999.

“Prishtinë, 15 shtator 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit E. K. për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘’Krime të luftës kundër popullsisë civile’’, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e gjashtëmbëdhjetë (16) civilë të nacionalitetit shqiptarë, ngjarje kjo e cila ka ndodhur më 8 maj 1999, në fshatin Staradran të komunës së Istogut”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se kjo çështje penale tashmë ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

“I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës”, thuhet në përfundim të njoftimit.

Kujtojmë që i akuzuari, së bashku me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, kanë ndaluar veturën e një mjeku në afërsi të aeroportit të Prishtinës, me ç’rast e kanë torturuar dhe kanë ushtruar dhunë fizike mbi të, teksa thuhet që më nuk dihet për fatin e tij që nga ajo ditë.