Autori i dy atentateve ndaj Anton Berishës, ish-drejtorit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, ka zbuluar për herë të parë “motivet e vërteta” të cilat e shtynë të kryente aktet.
Hoti ka thënë se Berisha, i cili më vonë do të bëhej deputet e zëvendësministër, ishte përfolur për vjedhjen e 20 milionë eurove.
“Më kujtohet një thënie prej një oficeri amerikan pasluftës. Na thoshte se ju veteranët e luftës për çdo ditë do të keni pasoja të cilat nuk do t’i vëreni. Pikërisht këtu dua të ndërlidhem sepse tek ngjarja e 12 prillit, 2007, është përfolur shumë”, fillon shpjegimin Hoti.
“Është folur shumë. Ka qenë një situatë kur ti je në një pozicion tjetër dhe pastaj spekulohet. Por realiteti është ndryshe. Të thash edhe në hyrje, paslufta ka pasur shumë turbullime duke pasur parasysh në veçanti ngjarjet në të cilat kanë kaluar shokët tanë, duke përfshirë kategoritë e dala nga lufta. Në atë kohë, nga 2006 deri më 2007, është përfolur shumë se Anton Berisha si drejtor i ART-së ka vjedhë shumë para. Është përfolur për një shumë 20 milionëshi”, thekson Hoti.
Ai ka thënë se nuk ka menduar dy herë për të kryer aktet kundër Berishës, i cili fatmirësisht kishte shpëtuar.
“Në veçanti kur flitej se telefonia e dytë mobile në vend do t’i jepej një operatori serb, një kompanie e cila ka qenë bashk-ortak me Telekomin serb. Dhe, në këtë rast ka qenë një motiv më shumë që ne të sulmojmë. Unë mendoj se ajo ka qenë diçka në të cilën unë s’kam menduar dy herë”
Hoti ka thënë se në muajin prill, disa ditë përpara 12 prillit [ditës së atentatit], e kishte marrë vendimin që bashkë me disa të tjerë ta realizonin atentatin ndaj Berishës.