Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

A mund t’i ndalohet Trumpit kthimi në Shtëpinë e Bardhë?

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duhet të ndalohet që të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, kanë thënë disa kundërshtarë të tij, duke argumentuar se roli i tij në trazirat e 6 janarit, përkatësisht sulmi ndaj Kapitolit përbën mbështetje të “kryengritjes”, siç përcaktohet në nenin 14 të Kushtetutës amerikane.

Në këtë tekst mund të mësoni më shumë për teoritë ligjore dhe sa ka realisht shanse që Trumpit – kandidatit kryesor për të fituar nominimin nga radhët e republikanëve për president – t’i ndalohet që të garojë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit 2024.

Si do të mund të diskualifikohej Trumpi?

Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se veprimet e Trumpit më 6 janar e diskualifikojnë atë nga presidenca. Ata kanë përmendur fjalimin që Trump mbajti para mbështetësve të tij të cilët sulmuan Kapitolin, por dështuan që të ndalonin Kongresin që të certifikojë fitoren e demokratit, Joe Biden.

Ata kanë cituar pikën 3 të amendamentit 14 të post-Luftës Civile, që ndalon zyrtarët qeveritarë, “të përfshirë në kryengritje apo rebelim” që të mbajnë pozita shtetërore.

Grupi avokues Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë, me seli në Uashington, ka dorëzuar një padi në Kolorado më 6 shtator, duke tentuar që të ndalë zyrtarin e lartë shtetëror të zgjedhjeve që të vendosë Trumpin në fletëvotimin për zgjedhjet e nëntorit të vitit 2024. Padi u bë duke u thirrur në pikën 3 të amendamentit 14.

Padi të ngjashme nga zyrtarëve të tjerë zgjedhorë mund të pasojnë, duke ngritur çështje ligjore në mbarë 50 shtetet lidhur me një pyetje të patestuar ligjore, që mund të ketë ndikime më të gjëra lidhur me atë se kush lejohet të mbajë poste federale.

A është dënuar Trumpi për nxitje të kryengritjes?

Dhoma e Përfaqësuesve gjatë gjykimit të dytë për shkarkimin e Trumpit e akuzoi atë për nxitje të një kryengritjeje më 6 janar, por Senati, i kontrolluar nga republikanët, arriti që ta lirojë atë nga kjo akuzë.

Tani ai po pret gjykimin ndaj katër akuzave penale, përfshirë dy që lidhen me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Trump, pa prova, ka pretenduar se rezultati zgjedhor ishte manipuluar.

Trump nuk është akuzuar për kryengritje apo rebelim.

Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se përpjekjet për të diskualifikuar Trumpin mund të krijojnë një precedent problematik që do të fuqizonte zyrtarë shtetërorë zgjedhorë që në mënyrë të njëanshme të mund të diskualifikonin kandidatë duke u bazuar në interpretimin e tyre lidhur me një “kryengritje apo rebelim”.

Diskualifikimi i kandidatëve bazuar në krimet për të cilat ata nuk janë dënuar ose nuk u rëndon ndonjë aktakuzë për to, mund të përbëjë shkelje të të drejtave të kandidatëve për një proces të drejtë dhe për mundësinë që të mbrohen, të drejta që përfshihen edhe në amendamentin 14.

Si do të mund të funksiononte diskualifikimi?

Pika 3 në amendamentin 14 nuk ka një mekanizëm të qartë të zbatimit. Disa studiues ligjorë kanë thënë se do të duhej një vendim i Kongresit që kjo pikë të zbatohej. Të tjerët kanë argumentuar se zyrtarët shtetërorë zgjedhorë janë të obliguar ta zbatojnë atë kur shqyrtojnë kandidatët që do të përfshihen në fletëvotime dhe mund ta zbatojnë këtë pikë po ashtu edhe përmes një urdhri të gjykatës.

Votuesit dhe grupet që i përfaqësojnë ata duhet të bindin sekretaritë e shteteve në 50 shtetet në SHBA – shumica e të zgjedhurve janë republikanë dhe aleatë të Trumpit – për të vendosur nëse Trump do të diskualifikohej ose nëse do të kërkojnë nga një gjykatës që të lëshojë urdhër që emri i Trumpit të mos përfshihej në fletëvotim.

Që manovra të funksionojë, ithtarët e saj duhet të bindin numër të mjaftueshëm të zyrtarëve – në shtetet që kanë prirje republikane – për të bllokuar që Trump të përfshihet në fletëvotim. Një gjë e tillë do t’ia pamundësonte atij që të fitojë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor, që janë të nevojshme për fitore në zgjedhjet presidenciale.

Këto përpjekje me shumë gjasa do të sfidoheshin ligjërisht nga republikanët.

 

Tags: