Polonia do të ndalojë hyrjen e veturave të pasagjerëve, të regjistruara në Rusi. Vendimi do të hyjë në fuqi të dielën, më 17 shtator, raportoi media shtetërore polake, PAP, duke cituar ministrin e Brendshëm, Mariusz Kaminski.
“Kjo ndalesë në kufirin polak do të aplikohet nga nesër, pra do të hyjë në fuqi në mesnatë”, tha ministri Kaminski gjatë një vizite në Terespol, që gjendet në kufi me Bjellorusinë.
Kamionët që janë të regjistruar në Rusi veçse u ndalohet hyrja në Poloni.
“Ky është një element i mëtejmë i sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë dhe qytetarëve të saj në lidhje me luftën brutale në Ukrainë dhe për faktin se shteti rus sot paraqet kërcënim për sigurinë ndërkombëtare”, tha Kaminski.
Perëndimi ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, në shkurt të vitit të kaluar urdhëroi trupat e tij që të sulmonin Ukrainën.