Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, në përmbledhjen javore është deklaruar edhe për takimin e nivelit të lartë të 14 shtatorit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Takimi kishte përfunduar pa rezultat në procesin e dialogut.
Këtë e ka pranuar edhe Lajçak, duke paralajmëruar kështu bisedime strategjike me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi.
Lajçak ka përmendur edhe situatën në Veri të Kosovës, që thotë se është e tensionuar.
”Javën e fundit e kalova në Bruksel, ku së bashku me ekipin tim, u përgatitëm për takimin e Dialogut të Nivelit të Lartë të së enjtes të organizuar nga BE HR/VP Josep Borrell. Siç është shprehur tashmë në komentet e shtypit nga HRVP, ne shpresonim për një rezultat më të mirë. Gjendja e lojës në Dialog, së bashku me situatën e tensionuar në veri të Kosovës do të jenë objekt i diskutimeve të ardhshme strategjike me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm”.
Ai ka treguar se pas takimit trepalësh me Kurtin e Vuçiqin i është drejtuar ambasadorëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
”Pas takimit të nivelit të lartë, iu drejtova ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel. Unë jam mirënjohës për interesimin e tyre në Dialog dhe për mbështetjen e tyre të fortë.
“U takova gjithashtu me Drejtorin e Çështjeve Politike dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Këshillit të Evropës Miroslav Papa, të cilin e informova për Dialogun. Vlerësoj shkëmbimin interesant për zhvillimet në Këshillin e Evropës dhe konfirmimin e bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm në promovimin e standardeve evropiane në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Lajçak, të dielën.
Takimi në mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk ka prodhuar rezultat. Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte deklaruar se “Kurti ka refuzuar propozimin e BE-së”.
Ndërkaq, Albin Kurti ka thënë se “kompromisi nuk ka qenë i duhur për Kosovën”, më pas zyrtarë të kabinetit të Qeverisë kanë deklaruar se “propozimi i BE-së ka qenë i njëjti me atë të Serbisë paraqitur gjashtë muaj më parë”.
Madje Borrell dhe Lajçak janë akuzuar se “po ia mbajnë anën Serbisë”.