Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vuçiq pret presion të ri për dialogun me Kosovën, paralajmëron zgjedhje në Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pret “një presion të ri” nga Perëndimi ndaj shtetit të tij lidhur me bisedimet me Kosovën.

“Ata në thelb u pajtuan me gjithçka që po bën [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti dhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është diçka që ata duhet ta bëjnë patjetër sepse marrëveshja për të është nënshkruar dhjetë vjet e gjysmë më parë dhe sepse ne insistojmë ”, tha Vuçiq për televizionin Pink.

Pas takimit të 14 shtatorit, ndërmjet Vuçiqit dhe Kurtit, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, Bashkimi Evropian tha se do të konsultohet me shtetet anëtare dhe Shtetet e Bashkuara për hapat e mëtejmë për shkak të bisedimeve të pasuksesshme.

BE-ja tha se Kosova kishte refuzuar një propozim të bllokut evropian për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që Prishtina dhe Beogradi arritën më herët gjatë këtij viti. Kurti tha se ky propozim ishte “kushtëzim”.

Vuçiq paralajmëron zgjedhje në mars
Vuçiq njoftoi për mundësinë që zgjedhjet në Serbi – që janë pjesë e kërkesave të opozitës – mund të mbahen më 4 mars 2024, apo një javë më herët. Këto zgjedhje më herët janë caktuar për 31 dhjetor.

“Jam i gatshëm të mbajmë zgjedhje në mars, në përputhje me ato që ata kanë shkruar”, tha Vuçiq për televizionin Pink.

Më 11 shtator, përfaqësuesit e opozitës në Serbi, që kanë organizuar protestat “Serbia kundër dhunës”, dorëzuan një kërkesë duke i kërkuar Vuçiqit që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhje në Beograd deri në fund të vitit 2023.

Kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme është dërguar nga Partia Demokratike, Kryengritja Ekologjike, Fronti i Gjelbër dhe grupet parlamentare Lëvizja e Popullit të Serbisë dhe Drejtimi i Evropës.

Më 5 shtator, deputetët opozitarë njoftuan në Parlament se ata do të “bllokojnë” organin ligjvënës të Serbisë derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve, pasi kanë mbajtur protesta për katër muaj me radhë, për shkak të dy vrasjeve masive që ndodhën në Serbi.

Vuçiq mohon se do ta largojë Vulinin nga udhëheqja e BIA-s
Vuçiq po ashtu tha se “mund të kem planifikuar” të zëvendësojë drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin, por shtoi se “nuk mund ta bëjë këtë tani”.

Duke komentuar spekulimet nga disa media se Vulin shpejt do të zëvendësohet, Vuçiq tha për Pink se pretendime të tilla “ia zgjatën atij mandatin”.

“Ndoshta kam planifikuar që ta zëvendësoj, por tani nuk mundem”, tha Vuçiq.

Ai mohoi se Vulin do të zëvendësohet nga drejtimi i BIA-s nga Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në Shtetet e Bashkuara.

Më 11 korrik, SHBA-ja e futi Vulinin në listën e sanksioneve, nën akuza për përfshirje në trafikim droge, por edhe për lidhjet me Rusinë.

Pas kësaj, Vuçiq deklaroi se sanksionet ndaj Vulinit ishin përgjegjësi e tij, për shkak se, “unë nuk kam vendosur sanksione ndaj Rusisë”.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, deklaroi më 22 gusht se SHBA-ja nuk pajtohet me autoritetet në Serbi sa i përket sanksioneve kundër Vulinit, duke shtuar se Uashingtoni ka problem me orientimin e tij pro-rus. Megjithatë, ai shtoi se SHBA-ja dhe Serbia kanë raporte të mira.