Sanksionet ekzistuese perëndimore ndaj Kosovës “nuk kryejnë punë”, ka thënë Timothy Less nga Qendra për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit, njohës ky i çështjeve rajonale por që shpesh analiza e tij del të jetë konsistent me atë që thuhet nëpër qarqe mediatike të Beogradit, për çka shtoi edhe se “diplomatit në të vërtetë nuk dinë se çfarë presione më shumë të bëjnë ndaj Kosovës”.
“Në teori, ka gjëra që ata do të mund të kishin bërë, siç është ngrirja e liberalizimit të vizave. Sidoqoftë, nuk ka pajtim për masa të këtilla në vende si Gjermania, ku Kosova gëzon mbështetje aktive, por edhe liderët politikë nuk janë mjaftueshëm të interesuar për çështje të Kosovës”, ka thënë Less duke folur për median serbe “Blic.rs”.
Less, mes tjerash, thotë edhe se ka “frustrim të hapur dhe dëshpërim” në mesin e diplomatëve rreth çështjes së dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “të cilët e kuptojnë se nuk kanë levën e nevojshme për t’i ngrerë palët për të arritur një dakordim”.
“Në vend se të kërcënojnë me masat e reja, Escobar-i thjesht iu referua sanksioneve ekzistuese, ndërsa Borrell-i vetëm butë paralajmëroi Serbinë dhe Kosovën se nuk mund të bëjnë përparim në rrugën e anëtarësimit të BE-së”, ka thënë Less.