Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

PLANI/ “Sakati” e Dumani do vrisnin Dor Dulin. I tmerrshmi i Shkodrës do thirrej për drekë në Papër, por në makinë do t’i fusnin një pagure me “raki”

PLANI/ “Sakati” e Dumani do vrisnin Dor Dulin. I tmerrshmi i Shkodrës do thirrej për drekë në Papër, por në makinë do t’i fusnin një pagure me “raki”
Etja për të vrarë shkodranin Dorian Duli, shtyu anëtarët e grupit “Bajri”, të kontraktonin emra të njohur të botës së krimit, si Nuredin Dumani që njihet ne nofkën “Alkatraz” dhe Aleksandër Baho nga Papëri i Elbasanit, i cili njihet me nofkën “Sakati”.

Dëshira personale për ekzekutimin e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit, ishte e Behar Bajrit, i cili sapo kishte dalë nga burgu e s’mund të pranonte shoqërinë që kishte Duli me hasmit e tij, të familjes Lici.

Për të kryer vrasjen e Dulit, dy kushërinjtë Behar Bajri dhe Bardhyl Bajri (Mavraj), ishin përpjekur dhe kishin rekrutuar Astmer Bilalin, Denis Brajoviçin, Prek Kodrën, “Leksin e Druve” në Lezhë, Pëllumb Gjokën, ish-deputetin e PS në Lezhë, Arben Ndokën dhe ish-shefin e policisë së Shkodrës, Ardrit Hasanbegaj.

Pavarësisht ndjekjes këmba-këmbës të Dorian Dulit dhe njerëzve të tij, sërisht plani i tyre nuk ka ecur për finalizimin e vrasjes. Kjo pasi të gjithë i frikësoheshin një kundërsulmi nga Dor Duli, i cili qëndronte gjithnjë i armatosur, shkruan Ora News.

Bajrat, morën kontakt dhe hynë në negociata me dy emra të tjerë, si Nuredin Dumani dhe Aleksandër Baho (Sakatin).Përmes Bardhyl Mavraj, Bajrat, i dërguan mesazhin Nuredin Dumanit se pagesa për kokën e Dulit ishte 200 mijë euro.

Për të kryer siguri Nuredin Dumani i thotë Bardhyl Mavraj se:”…Dorin do ta mbaroj unë, sa do që të më thuash…unë s’të ve çmim, por ti shife vetë…”.

Nga ana tjetër Mavraj i shpjegon dhe arsyer Nuredin Dumanit se përse duan ta vrasin Dorin si dhe përcakton limitin e parave që ofron për ekzekutimin e Dulit.

“…vlla Dori, s’na ka ba as dëm as gjë se me dashtë dhe të vllan e kemi me ja kry, por s’është se na ka ba dam kund. Thjeshtë është tu na nejt me do hasëm tonët dhe për kët dona me e hek. Ta them me pastërti, le që s’ja vlenë por nuk hellim mbi 200 për Dorin…”-i thotë Bardhyl Mavraj.

Më tej gjatë kësaj date Dumani dhe Mavraj, flasin për të siguruar makinë, një makinë për Nuredin Dumanin dhe pasi kanë diskutuar për makinën në mbyllje të bisedës Nuredin Dumani i dërgon mesazhet: ”…do ti këpus…rri pa merak…ok trujt zoti vlla…mos ki kerak….hiq…”.

Për të kryer vrasjen Dumani, kishte aktivizuar dhe Aleksandër Bahon, i cili do siguronte makinën, njëherësh do nxirrte në pritë Dorian Dulin. “Sakati” është një personazh që del në komunikimet e “Sky”, teksa bisedon me Dumanin për të vrarë, Lulzim Mashën në Tiranë.

Nxjerja në pritë do kryhej pasi “Sakati”, ti kishte dhënë drekën, Dorian Dulit. Kjo tregon se mes Dulit dhe Aleksandër Bahos ka pasur njohje të mëparshme.

Sipas bisedave, duke shfrytëzuar këtë njohje Sakati ka mundësi ti afrohet Dulit dhe të zbatojë planin e Nuredin Dumanit. Në një bisedë mes “Sakatit” dhe Dumanit, ai i thotë:

”…jam duke e menduar këtë vëlla, me ja fut këtu atë që thua ti. Por normal që shteti, do bëjë hetime dhe do shikojë që ai ka qenë këtu dhe ka dalë nga këtu. Dhe me u plas diku në vend tjetër, normalisht që kamerat do i shikojnë dhe do jem unë i dyshumi kryesor…”.

Më tej “Sakati” i shpalos Dumanit një plan për ta thirur në drekë, Dorian Dulin dhe me e vra aty duke ngrënë bukë, duke ja futur sasinë e tritolit brenda në makinë.

“…por po mendoja me e thirrë për drekë më nai vend, dhe me ja fut atje, por duhet gjet ndonjë nga këto, të mos trembet mos ketë frikë. Kështu do ishte më mirë si thua ti vlla? …do ishte ma mirë me i marrë diku për drekë dhe me ja gjet mundësinë, me ja fut mrena…”

Nuredin Dumani (Alkatrazi), nuk ka hequr dorë nga plani i tij për të vrarë Dulin, përmes një shpërthimi të telekomanduar me 3 kg tritol që do i futej brenda në makinë.

“…vlla kur ti fusim pakon posht sendilës?…do ti fusim dhe GPS dhe e shikojm ka iku nga Tirana ok në autostrad ta shpërthejn. Po iku nga Kavaja, ta bëjmë diku afër Malit të Robit, se osht i sigurt ai vlla me atë pakon…” – i thotë Nuredin Dukani, Sakatit.

Ndërsa Sakati i shkruan se edhe nëse makina është mbyllur t’ia marrë çelësat Dulit duke i thënë të të fus një pagure “Raki”.

“…kamerat e lokalit do fiken vlla, kamerat do fiken nuk bohet fjalë, por kamerat e shkollës dhe te tjerat do e kapin që ka hyrë dhe ka dal këtu dhe telefonin, që kamë në vesh dalin këtu qelizat. Megjithatë do flas me atë djalin këtu që të ja boj, këtë gjo që të ja fusi mrena dhe çfarë do më thojë, dhe po të jetë mbyllur makina ti them bjer çëlsat të fus nji pagure Raki mrena ose diçka tjetër këtë po mendoj. Por të flas nesër me atë djalin…”.

Pasi ka dërguar kopjen e bisedës tek Bardhyl Mavraj alias Bajri, Nuredin Dumani i dërgon mesazhet si më poshtë: “…dua ti fus eksploziv në makinë nja 3 kg dhe nji motorr me dy veta te shkojnë me u siguru mrapa…me uzi…”.

Bardhyl Mavraj, pasi mori dijeni për planin e Nuredin Dumanit dhe duke ju referuar edhe bisedës që ka pasur për makinën “Mercedes Benz 5000 kubik”, i dërgon mesazh: “…si ta shofësh ti mundësin shife vet situatën, unë të garantoj ato që të thash. Mendoje vetë si tek por puna është që të kryhet vlla. Tashi s’di si me ta thanë se ti e din ma mir se si jan mundësit aty…”

Kurse Nuredin Dumani i përgjigjet: “…jo s’më duhet makina, po e bom kështu. Do maroj se zbën s’ka nga të futet mo ai, osht në kryq tani, s’ka gjalles në tokë që e shpëton…”.

Ndërsa Mavraj ia kthen duke i dërguar mesazhin duke nënkuptuar garancinë për pagesën 200 mijë euro për krimin: “…vlla për ça kemi fol me thuj 3-4 dit para që të kryhet puna dhe për ça kemi fol i ke te unë ose gjejmë një shok të përbashkët e i stakojme aty te një i tret si ta mendosh ti…”