Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se të enjten në Bruksel “pati një poziccionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës” në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Aty tha se u ekspozua “përballë një skenari” të emisarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.
“Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës”, theksoi Kurti.
Kurti tha sot në një konferencë për media se Vuçiq dhe Lajçak ishin të koordinuar.
“Në takimin trilateral, u ekspozova përballë një sklenari të cilin z. Lajçak dukej se e kishte dizejnuar kohë më parë”, tha Kurti.
Ai tregoi se e kishte prezantuar propozimin e tij për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa tha se ndaj tij Vuçiq dhe Lajçak reaguan “me të njëjtin mendim”, duke e shpërfillur.
“Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist”, tha Kurti.
Kurti tha se “ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësi, ose s’mund t’i zbatojmë vetëm ato që i do Serbia”.