Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoti: Raportimi i Kurtit ishte vajtim dhe dëshmi e paaftësisë së tij, do duhej bëhej në Kuvend siç e kërkon rezoluta

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se raportimi i sotëm i kryeministrit Albin Kurti para mediave lidhur me dialogun ishte vajtim dhe dëshmi e paaftësisë së tij për të udhëhequr këtë proces.

Hoti, thotë se Qeveria e Kosovës sot nuk e ka afër asnjë aleat për konsultime paraprake, siç ka ndodhur gjithmonë në procese negociatore të Kosovës me Serbinë.

Ai shtoi sot, asnjë konsultim për dialog nuk ka mes partive politike të pozitës dhe opozitës, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Postimi i plotë:

Raportimi i sotëm para mediave lidhur me dialogun i Kryeministrit ishte vajtim dhe dëshmi e paaftësisë së tij që të udhëhequr këtë proces

Lidhur me dialogun dhe konferencën e sotme për media të Kryeministrit:

Raportimi i sotëm para mediave lidhur me dialogun i Kryeministrit ishte vajtim dhe dëshmi e paaftësisë së tij që të udhëhequr këtë proces: (i) me vizion të qartë dhe insistim vetëm për njohje reciproke, (ii) në koordinim me aleatët dhe (iii) me konsensus të brendshëm politik për këtë proces të rëndësishëm.
Raportimi lidhur me dialogun duhet të bëhet në Kuvendin e Kosovës, siç e kërkon Rezoluta e Kuvendit, ku thuhet: “Kryeministri raporton në Kuvend para dhe pas çdo takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”. Kujtojmë se në dy vite dialog, vetëm një informatë është dhënë në Kuvend nga Kryeministri në një seancë të kërkuar nga opozita.
Fatkeqësisht, Kurti i ka bërë dëm të madh Kosovës duke e degraduar dialogun nga: “Dialog për marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, në “Dialog për menaxhim të krizave”. Duhet thënë se krizat janë provokuar nga Serbia, por ato janë menaxhuar keq dhe pa koordinim me aleatët nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Për herë të parë Kosova është e vetme në dialog karshi Serbisë. Fatkeqësisht, duket se Qeveria e Kosovës sot nuk e ka afër asnjë aleat për konsultime paraprake, siç ka ndodhur gjithmonë në procese negociatore të Kosovës me Serbinë.
Sot, asnjë konsultim për dialog nuk ka mes partive politike të pozitës dhe opozitës, siç ka ndodhur në të kaluarën. Në qeverinë paraprake, kur dialogu nisi për marrëveshje për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, ishte formuar “Forumi i partive politike” për informim të rregullt dhe konsultime me partitë politike. Ky forum ka mbajtur disa takime, ku janë informuar partitë politike të pozitës dhe opozitës.