Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka reaguar lidhur me rastin e dhunës ndaj fëmijës tre vjeçar në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë.
Në një postim në Facebook, Nagavci ka shprehur shqetësimin e saj dhe e ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj tre vjeçarit.
Nagavci ka shkruar se pret që dhunuesit të marrin dënimin e merituar, ndërsa paralajmëroi masa sapo të përpilohet raporti lidhur me rastin.
Postimi i plotë:
Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor.
Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar.
Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar.
Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme.
MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve.