Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, ka thënë se për rastin ku dyshohet se në çerdhen “Gëzimi ynë” është ushtruar dhunë ndaj një 3-vjeçari është informuar nga drejtoresha e kësaj çerdheje.
Berisha tha se edukatoret aktualisht janë duke dhënë deklaratë në polici dhe se janë sekuestruar pajisjet e kamerave.
“Unë kam qenë këtu bashkë me Inspektoratin e Arsimit, policinë, dhe drejtoreshën dhe për hapat në vazhdim do të jemi në koordinim të plotë me të gjitha organet kompetente që merren me këtë çështje”.
“Policia e ka bërë ftesën në drejtim të edukatorëve dhe në këto momente vetëm se janë në stacion të policisë ku po intervistohen të gjithë akterët që pretendohet se janë të përfshirë në rast. Kanë sekuestruar pajisjet e kamerave, ndërsa për hapat në vazhdim do të jemi në koordinim të plotë me policinë dhe Inspektoratin e Arsimit”, tha Berisha.
Ndërsa, Berisha tha se rastin ndaj 3-vjeçarit “s’do ta quaja dhunë deri në momentin kur vërtetohet prej ekspertëve”, teksa shtoi se edukatoret “deri në këto momente nuk janë pezulluar”.
“Këtu nuk ka të bëjë me kompetenca të drejtorit, por me respektim të ligjit, pavarësisht se kush është i përfshirë, në momentin që kemi vendim final dhe cilësohet si fajtor, masat do të jenë konform ligjit”, tha ai.