Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, ka folur për pozicionin e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit përballë Miroslav Lajçak dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Sipas Zhulalit, deklarata e zotit Kurti është e mirëmenduar dhe nuk është një rrufe në qiell të kaltër, pasi gjërat kanë ndryshuar.
‘Zoti Kurti është ndihmuar edhe nga faktorë të ndryshëm politikë europianë dhe amerikanë të cilët i mbështesin tezat e tij. Drafti i paraqitur nga zoti Kurti është një draft i mirëmenduar dhe ofron mundësinë për të negociuar’, u shpreh Zhulali.
Zhulali: Deklarata e zotit Kurti është e mirëmenduar dhe nuk është një rrufe në qiell të kaltër. Kemi letrën e senatorëve, kryetarëve të komisioneve të jashtme të parlamenteve të ndryshme nga 6 vende dhe 56 deputetë. Është për tu vlerësuar se nënshkrues të kësaj letre që kritikon mënyrën se si po i qaset dialogut qoftë ShBA qoftë BE, është edhe Bob Menendes i cili përfaqëson krahun demokrat pra nga e njëjta parti që vjen dhe presidenti Biden. Nënshkrues i kësaj letre është edhe Michael Routh që është kryetari i Komisionit të Jashtën në Bundestag që është nga e njëjta parti që vjen kancelari Shoulz.
Këta politikanë thonë në këtë letër se qasja që po ndiqet në dialog mes Prishtinës dhe Beogradit është i zhbalancuar presioni që po ushtrohet ndaj Prishtinës është i pamerituar dhe ky presion duhet të ushtrohet edhe ndaj Serbisë.
Menendes ka një deklaratë ku thotë se qasja që po ndiqet ndaj Serbisë duke e vendosur atë si qëndër në Ballkan nuk është qasja e duhur dhe do të jetë kundërproduktive.
Kemi një ftesë që iu bë zotit Kurti nga Greqia para disa javësh që është një kapërcim pozitiv ku Greqia një vend mosnjohës i Kosovës organizon një takim rajonal duke treguar një afrim të qëndrimit të saj për të shkuar drejt njohjes së Kosovës.
Ndryshe nga qasja që u paralajmëruar nga BE, nga deklaratat e Borrel, Lajçak dhe Eskobar se Kosova do të izolohej, fakti që Kosova u ftua nga një vend i BE-së mosnjohës për të marë pjesë në këtë takim ku merrte pjesë edhe presidenti Zelensky ishte një hap për të reflektuar për një qasje tjetër në raport me Kosovën dhe dialogun me Serbinë.
Kemi fundin e nismës Open Balkan e cila ishte një përpjekje e Serbisë për të zhvendosur vëmendjen ndaj dialogut me Kosovën drejt përqëdrimit të gjithë pushtetit të Serbisë si faktor kyç rajonal.
Gjërat kanë ndryshuar. Kemi edhe një seancë shumë të fortë në Parlamentin Europian ku zoti Lajçak është vendosur në shënjestër nga të gjithë deputetët e pranishëm në seancë duke e akuzuar se po tregohet krejtësisht i njëanshëm dhe nuk po i qëndron misionit bazë për të cilin është ndërtuar dialogu dhe po tregohet shumë tolerat ndaj Serbisë.
Zoti Kurti është ndihmuar edhe nga faktorë të ndryshëm politikë europianë dhe amerikanë të cilët i mbështesin tezat e tij. Drafti i paraqitur nga zoti Kurti është një draft i mirëmenduar dhe ofron mundësinë për të negociuar.