Dialogu në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, nuk ka sjellë ndonjë rezultat të enjten e 14 shtatorit, kur edhe është mbajtur takimi bilateral dhe trilateral së bashkë me ndërmjetësuesit evropianë në Bruksel.
Me dështimin e takimit, siç duket durimi i të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ka “mbaruar”, ai madje deklaroi se në këtë moment nuk është e nevojshme që në emër të bllokut të fokusohet në negociatat e mëtejshme mes Prishtinës e Beogradit.
Megjithatë, ai po fillon një sërë konsultimesh me vendet anëtare të BE-së, Britaninë dhe SHBA-në, për të cilat do të shfrytëzojë edhe seancën e shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Qëllimi i këtyre konsultimeve është të arrihet një përgjigje e unifikuar dhe e koordinuar e bashkësisë ndërkombëtare për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Lajçak theksoi se është thelbësore që këtë vit të nisë zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Nëse procesi mund të ngrihet dhe të fillojë, ai do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.
“Nëse ato vendime themelore nuk merren para fundit të vitit, kam frikë se kalendari politik në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara do të jetë i tillë që ta shtyjë këtë agjendë në fund. Jam i bindur se marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e pranuan dhe do të ishte turp nëse ai do të mbulohej nga pluhuri. Në një rast të tillë, ne presim më shumë konflikte, përshkallëzim të tensioneve e ndoshta edhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”, deklaroi ai.
Nga ana e Kosovës ndërkohë nuk ka shenja zbrapseje, e kërkohet nga Brukseli që të tregohet më i balancuar në dialog.
Profesori i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, i pyetur për “ultimatumin” e Lajçakut dhe konfliktet që mund të ketë nëse nuk zbatohet marrëveshja, ai thotë se rreziku lind nga çdo veprim, duke përfshirë një “flamur të rremë”.
Sipas tij, mund të ketë rrezik të trazirave nga serbët në veri kundër kryetarëve jo serbë apo çfarëdo pranie të policisë që mbetet.
Serwer shton se tolerance e Uashingtonit për keq bërjen serbe duket e pakufizuar.
“Duhet ta pyesni Miroslavin se për çfarë po flet. Për mua, rreziku lind nga çdo veprim, duke përfshirë një “flamur të rremë”, kundër serbëve në Kosovë që i jep Beogradit një mundësi të pretendojë se duhet të lëvizë ushtrinë e tij në Ibër për të mbrojtur serbët. Mbrojtja e serbëve dhe pakicave të tjera është jetike për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Sigurisht që ekziston edhe rreziku i trazirave nga serbët në veri kundër kryetarëve jo serbë apo çfarëdo pranie të policisë që mbetet. Por kjo mbeti krejtësisht e pandëshkuar herën e fundit që ndodhi. Nuk kam asnjë arsye të besoj se do të ndëshkohej nëse do të ndodhte përsëri. Toleranca e Uashingtonit për keq bërjen serbe duket e pakufizuar”, deklaroi Serwer.
Daniel Serwer
Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë “ngecur” në dialog shkak i marrëveshjes së asociacionit të komunave me shumicë serbe, asociacion ky i kërkuar me ngulm nga Serbia, por edhe nga carqet ndërkombëtare, por i refuzuar me kompentenca ekzekutive nga Kosova dhe kryeministri Albin Kurti.