Mëngjesi i sotëm ishte i kobshëm për familjen Basha nga fshati Vraniq i Suharekës. Djali i tyre, Avniu, u gjet pa shenja jete në fshatin Banjë të Malishevës, pasi i njëjti dyshohet se u privua nga jeta nga shoku i tij, Isuf Zogaj, i cili tashmë është arrestuar.
Gjithçka ndodhi rreth orës 07:00, kur Zogaj dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri në drejtim të shokut dhe bashkëpunëtorit të tij, Avniut. Ky i fundit mori plagë të rënda, të cila dolën të ishin fatale për të.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ekipi mjekësor i Emergjencës, konstatoi vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri”, tha Elezaj.
Ndërkohë i dyshuari është dorëzuar në stacion policor, ku është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit tashmë është dërguar në mbajtje.
Mediat lokale kanë publikuar pamje ku i dyshuari dhe viktima shihen se kanë punuar së bashku në sektorin e ndërtimtarisë.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti verbal për motive banale mes dy personave të përfshirë.