Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kurti takon ambasadorin Kolly, Zvicra vendi i dytë për investime në Kosovë

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin e ndërsjellë gjatë gjithë mandatit të tij dhe për kontributin e tij të çmueshëm në ruajtjen dhe përparimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se krahas bashkëpunimit, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Kolly edhe për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, e cila ka qenë e rëndësishme në secilën fazë të çlirimit, shtetndërtimit dhe zhvillimit të saj.

“Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë, ndërkaq vetëm për vitet 2022-2025 ka ndarë afërsisht 86 milionë CHF për Kosovën veçanërisht në fushat e Qeverisjes Demokratike dhe Paqes, Zhvillimi i Qëndrueshëm Ekonomik dhe Ndryshimet Klimatike, Uji dhe Shëndeti”, thuhet në njoftim.

Ambasadori falënderoi kryeministrin për komunikimin e rregullt dhe bashkëpunimin e afërt. Ai u shpreh mirënjohës për kohën e tij në Kosovë.

Në komunikatë thuhet po ashtu se ata edhe në këtë takim lamtumirës, biseduan për raportet ndërshtetërore, fushat se ku ato mund të thellohen edhe më tej, dhe për trendin pozitiv të shkëmbimeve tregtare, sidomos në sektorin e Teknologjisë së Informacionit.