Gjykata Themelore në Gjilan i ka dënuar të enjten me nga 2 mijë e 500 euro tre instruktorët e vozitjes – Naim Haxhiun, Luan Popajn dhe Valton Berishën – pasi e kanë pranuar fajësinë se kishin marrë 400 euro ryshfet për t’i ndihmuar një kandidati për kalimin e testit teorik për patentë shofer.
Tre të akuzuarve fillimisht iu shqiptua dënimi me gjobë nga 500 euro dhe me burgim prej 180 ditësh, ku u është llogaritur koha e qëndrimit në paraburgim dhe në arrest shtëpiak. Me kërkesën e të akuzuarve, pjesa e mbetur e dënimit me burg u është zëvendësuar me dënim me gjobë secilit veç e veç prej 2 mijë eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kështu, gjykata e ka shqiptuar dënimin unik ndaj tre instruktorëve të vozitjes me gjobë prej 7 mijë e 500 euro. Aktgjykimi është shpallur në Departamentin e Krimeve të Renda nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Maliqi derisa prokurore e rastit ishte Bahtie Ademi.
Gjykata i ka obliguar të akuzuarit që dënimin me gjobë ta paguajnë 15 ditë pas plotfuqishmërisë aktgjykimit në katër këste të barabarta.
Të akuzuarit ngarkohen se në bashkëkryerje ia kishin marrë 400 euro kandidatit Mentor Samakova që t’i mundësonin kalimin e testit teorik për patentë shofer.
Paraprakisht, të enjten, në shqyrtimin gjyqësor tre të akuzuarit kishin pranuar fajësinë derisa me aktvendim ka vazhduar fjala përfundimtare e palëve derisa pasdite është shpallur aktgjykimi dënues.
Prokurorja Bahtie Ademi ka kërkuar që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit duke vlerësuar rrethanat lehtësuese të pranimit të fajësisë dhe ato rënduese. Ajo ka propozuar sekuestrimin e pajisjeve ilegale që janë sekuestruar në ditën kritike.
Avokati i Naim Hoxhës, Skender Shefkiu ka kërkuar dënim sa më të butë për klientin e tij me arsyetimin se i njëjti ka pranuar fajësinë, nuk ka rënë më herët ndesh me ligjin, ka gjendje jo të mirë ekonomike. Derisa ka kërkuar që dënimi me burg t’i konvertohet në dënim me gjobë.
Edhe avokati i Luan Popajt, avokati Afrim Salihu e ka mbështetur pranimin e fajësisë së klientit të tij derisa i ka kërkuar gjykatës t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese për klientin e tij.
Kurse, mbrojtësi i Valton Berishës, avokati Ymer Huruglica ka kërkuar nga gjykata t’i shqiptojë dënim minimal klientit të tji dhe dënimin me burgim t’ia kthejë në dënim me gjobë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shkurt 2023, Naim Haxhiu ngarkohet se më 2 shkurt të këtij viti kishte arritur marrëveshje me kandidatin që e kishte aftësuar për vozitje, Mentor Samakova, që përmes ryshfetit t’ia kalonte testin teorik për patentë shofer. Një ditë pas marrëveshjes, sipas aktakuzës, Haxhiu bashkë me kandidatin Samakova ishin takuar me instruktorin Luan Popajn derisa kishin shkuar në shtëpinë e këtij të fundit ku ishte duke i pritur Valton Berisha. Aty shkruan se Luan Popaj ia kishte vendosur kandidatit kamerën dhe mikrofonin në trup.
Pasi kandidati hyn në test, sipas aktakuzës, Luan Popaj përmes pajisjeve i tregon atij përgjigjet e testit. Mirëpo, kandidati ishte vërejtur nga vëzhguesit e testit, ku ishte lajmëruar Policia dhe ishin zbuluar pajisjet në trupin e Samakovës.
Tre instruktorët e vozitjes ngarkohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.