Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pati një përplasje indirekte mes presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviq dhe për gjithçka fajësohet kërkesa e Milanoviqit për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Në fjalën e tij, Milanoviq ka shprehur shqetësimin për ngjarjet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Kroacisë bëri thirrje për uljen e tensionit, duke theksuar rëndësinë e njohjes së Kosovës si anëtare e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo e acaroi Vuçiqin.
“Ja, i shoh këto 100 shtete të rreshtuara për të dëgjuar Milanoviqin, të gjithë po shtyjnë njëri-tjetrin. Bretkosa e pa që kali ishte mbathur, kështu që edhe ajo duhej të thoshte diçka për këtë”, citohet deklarata e Vuçiqit në Nju Jork në mediat serbe.
Vuçiq vazhdoi duke e cilësuar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si monolog nga Prishtina, duke shtuar se Serbia me gatishmëri po përparon në rrugën e saj drejt BE-së. .