“Kundër arrestimit të djeshëm të tre të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, Beogradi ka urdhëruar që të hidhet granatë luftarake në Mahallën e Boshnjakëve në Mitrovicë”.
Kështu ka deklaruar ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu duke thënë se kjo është një kundërpërgjigje e Serbisë pas arrestimit të tre serbëve të cilët dyshohen për masakra e tortura ndaj shqiptarëve në Vushtrri e në Burgun e Smrekonicës.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se krimet e luftës duhet të dënohen, në emër të paqes dhe në emër të të ardhmes e të dyshuarit për krime lufte duhet të vendosen para drejtësisë.
“Është fatkeqësi që Serbia udhëhiqet edhe tash nga një qeveri që mbron, strehon, dhe adhuron kriminelët e luftës. Kundër arrestimit të djeshëm të tre të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, Beogradi ka urdhëruar që të hidhet granatë luftarake në Mahallën e Boshnjakëve në Mitrovicë. Kjo tregon qartazi mentalitetin e Vuçiqit dhe njerëzve të tij, dhe se si i qasen ata të kaluarës gjenocidale”, ka shkruar Aliu.
Ai ka thënë se Vuçiqi vazhdon të mendojë e të veprojë njejtë siç ka bërë edhe në kohën sa i shërbente Millosheviqit por siç thotë ai tani “mundësitë i ka shumë më të vogla”.
“Kriminelët e luftës do të dënohen, sepse Kosova është e angazhuar për normalitet, drejtësi dhe paqe. Akte të tilla terroriste nuk kalojnë”, ka vijuar ai.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se sulmi me granatë dore në Lagjen e Boshnjakëve ka ardhur si reagim ndaj arrestimit të tre serbëve të akuzuar për krime gjatë luftës në Kosovë.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se pas mesnatës të së enjtes në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, ka pasur një shpërthim.