Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hedhja e granatës në veri, vjen reagimi i ashpër i BE-së

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në mesnatë në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, e cila është e banuar me popullatë të përzier. Për rastin ka reaguar Bashkimi Evropian.

Lajmin e konfirmoi, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.

“Shpërthimi ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës, ndërsa përveç dëmeve në një veturë, nuk raportohet për të lënduar”, tha Elshani.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia dhe po zhvillojnë hetimet”.

Bashkimi Evropian ka reaguar për rastin e mbrëmshëm. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ky institucion po e vëzhgon me shumë vëmendje dhe shqetësim situatën në veri të Kosovës.

“Jemi të shqetësuar për vazhdimin e situatës ku nuk ka një de-përshkallëzim të tensioneve”, ka thënë Stano.

Për rastin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se hedhja e granatës ushtarake e dorës nga grupet nga ‘grupet kriminale’ nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.

Sveçla, theksoi se ‘urdhëri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq’.

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë”, shkroi Sveçla.

Ai potencoi se hedhja e granatës është bërë në shenjë revolte të arrestimit të tre serbëve për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

“Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës”, shkroi Sveçla.

“Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”.

“Inspirimi, mbështetja dhe urdhëri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës”.