Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka folur lidhur me rastin në çerdhen në Fushë Kosovë, ku dyshohet se ndaj një 3-vjeçari u ushtrua dhunë.
Pamjet e publikuara, Nagavci i ka quajtur “skandaloze”, derisa ka thënë se më shqetësuese është se shihej se ky ishte veprim i zakonshëm.
“Pamja ishte vërtet skandaloze, dhe ajo që është më shqetësuese për mua është se shihet se nuk është vetëm një veprim i një personi por dukej se ajo ka qenë mëse e zakonshme. Përderisa shohim se janë dy ose tre persona të përfshirë në atë pjesë”, ka deklaruar Nagavci në emisionin “Kallxo Përnime”.
Nagavci ka folur edhe për masat që janë ndërmarrë për këtë rast, ku ka thënë se qysh të nesërmen, inspektorët kanë shkuar në cerdhe.
Sipas Nagavcit, inspektorët kanë shkuar edhe në Drejtorinë për Arsim.
“Sa na takon neve si Ministri, në rastin e parë në mbrëmjen që është bërë publike informata, në mëngjes në orën e parë të fillimit të punës inspektorët e arsimit kanë qenë në vizitë në çerdhe, po ashtu kanë pasur vizitë edhe në DKA dhe gjatë kohës sa ato kanë qenë aty kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarët policorë që në të njëjtën kohë e kanë hetuar rastin”, tha ajo.