Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Norvegjia arrestoi ish-komandantin e Wagnerit që tentoi të kthehej në Rusi

Policia në Norvegji e ka arrestuar ish-komandantin e grupit mercenar Wagner, nën dyshimet se ai ka tentuar ta kalojë ilegalisht kufirin për t’u kthyer në Rusi, pasi ka kërkuar azil në Norvegji, më herët gjatë vitit.

Andrei Medvedev, i cili ka ikur nga Rusia përmes kufirit me Norvegjinë, është thënë të ketë vrapuar kur rojet kufitare ruse kanë shtënë me armë ndaj tij.

Policia e Norvegjisë ka thënë përmes një deklarate se një burrë, në të 20-at, është dërguar në mbajtje për tentimet që ta kalojë ilegalisht kufirin për në Rusi, por nuk ia ka përmendur emrin.

Kalimi i kufirit të Norvegjisë me Rusinë lejohet vetëm në disa pika.

Mirëpo, avokati i Medvedevit, Brynjulf Risnecs ka thënë se arrestimi i tij është bërë pas një keqkuptimi.

“Ai ka shkuar atje për ta gjetur vendin ku e ka kaluar kufirin në janar. Ai është ndaluar kur ka qenë në një taksi. Ai kurrë nuk i është afruar kufirit. Nuk ka qenë kurrë synimi i tij që të futet në Rusi”, ka shtuar Risnecs.

Kur ka arritur për herë të parë në Norvegji, Medvedev ka thënë se ka kërkuar azil sepse është frikësuar se mund të vritet, pasi ka dëshmuar për vrasjen dhe keqtrajtimin e të burgosurve rusë që janë dërguar në frontin e luftës në Ukrainë.

Ikja e tij në janar pati qenë kryelajm në botë, si një shembull i rrallë i dikujt që ka ikur në një shtet perëndimor, ndonëse ka pretenduar se ka luftuar për Rusinë si mercenar, në luftën në Ukrainë.

Themeluesi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin është vrarë më 23 gusht, kur një aeroplan privat, është rrëzuar në kushte të pasqaruara mirë.

Aeroplani është rrëzuar vetëm dy muaj pasi ai e ka nisur një rebelim kundër presidentit rus, Vladimir Putin në Rusi.