Ish-Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga afaristi i mirënjohur, pronari i Devolli Corporation, Shkëlqim Devolli, kanë qëndruar në Nju-Jork këto ditë, ku kanë zhvilluar takime të shumta në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Pacolli ka thënë se takimet e zhvilluara ishin me rëndësi për vendin.
Nga këto takime të nivelit të lartë, ish-Presidenti njoftoi se shteti i Zimbabvesë i ka njohur pasaportat e Kosovës.
“Takime të nivelit të lartë zhvillova me presidentin e Zimbabvesë, Emerson Mnangagwa, të cilin e falënderova për vendimin e njohjes së pasaportës së Kosovës dhe u pajtuam për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror”, shkroi ish-Presidenti i Kosovës.
Ndër të tjera, Pacolli njoftoi se në disa prej takimeve ka qenë i shoqëruar nga pronari i Devolli Corporation, Shkëlqim Devolli.“Poashtu, një numër takimesh zhvillova në interes të bizneseve të Kosovës, për t’u dhënë mbështetje produkteve të Kosovës në krijimin e lehtësirave për eksport, bashkë me mikun tim Shkëlqim Devolli”, tha ai.
Pacolli tha se ka takuar edhe mikun e tij, presidentin e Kenias, William Ruto, presidentin e Sierra Leones, Julius Mada Bio, presidentin e Liberisë, George Weah, atë të Botswanës, Mokgweti Masisi, Zv/presidentin e Gambias, Mohamed Jallow, ministrin e jashtëm Mahmadou Tangara dhe një delegacion të lartë nga Ruanda si dhe udhëheqjen e Organizatës Botërore të të Rinjve.
Ish-Presidenti tha se lobimi për Kosovën duhet të shndërrohet në prioritet, “veçanërisht në situatën e vështirë në të cilën gjendet vendi ynë”.
“Falënderoj mikun e vlefshëm, presidentin e Republikës se Kenias, i cili pothuajse çdo ditë më mundësoi të takoj presidentë dhe delegacione të vendeve të ndryshme ku pata mundësinë të promovoj Kosovën ndërkombëtarisht, duke shfrytëzuar edhe zyrat e misionit të përhershëm të Kenias në OKB”, u shpreh Pacolli.
Gjatë qëndrimit në ShBA, Behgjet Pacolli tha se ka takuar edhe veprimtarin e madh Jim Xhema dhe bashkëbisedova me aktivistët e shoqatës panshqiptare “Vatra”, ku nga kryetari i saj Elmi Berisha tha se u nderua me mirënjohje.