Profesori amerikan, Edward Joseph, ka thënë se ngjarja e fundit tragjike në Kosovë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe dy të tjerë u plagosën është provë e angazhimit të SHBA-së në Ballkan.
Ai ka thënë se ambasada amerikane në Beograd duhet ta ripostojë reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.
“Zhvillime jashtëzakonisht serioze në Kosovë – dhe provë e angazhimit të SHBA-së në Ballkan. I inkurajuar nga reagimi i shpejtë dhe i bazuar në fakte i ambasadorit amerikan në Kosovë Hovenier për vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës. Pyetja ime: cili do të jetë qëndrimi i Ambasadës Amerikane në Beograd?”, ka shkruar ai në X.
“Ambasada amerikane në Serbi duhet të ri-cicërojë menjëherë deklaratën e ambasadorit Hovenier. Hovenier ishte i kujdesshëm që të mos bënte me gisht– por vetëm këmbënguli që “kryesit … të sillen para drejtësisë” për “këto akte të dhunshme kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës”.
Këto komente ai i bëri pas mbështetjes që BE dhe SHBA i dhanë Serbisë pas dështimit të rundit të fundit në dialog.
“Vuçiq fitoi lavdërimet e SHBA-së edhe pas sulmeve brutale, të paramenduara të 29 majit ndaj KFOR-it. Pra, pse policia serbe të mos shkojë më tej më 14 qershor dhe të arrestojë tre policë të Kosovës, duke i ndaluar ata “me akuza të rreme”?
Hill vlerësoi qëndrimin e Serbisë në bisedimet e fundit të dialogut të Brukselit, edhe pse Beogradi vazhdon – duke përfshirë OKB-në – të heqë dorë nga detyrimet e tij sipas Marrëveshjes Bruksel-Ohër. Ministri i Jashtëm Daçiq ka zhvilluar edhe një takim të profilit të lartë me ministrin e jashtëm rus Lavrov të sanksionuar nga SHBA-ja”, ka shkruar Joseph.