Sulmi i djeshëm terrorist në veri të Kosovës ishte fillimi i kryengritjes së armatosur, të organizuar nga Beogradi për hapjen e një konflikti të ri në rajon.
Kështu u shpreh Sali Berisha në një deklaratë për mediat, një ditë pasi dënoi sulmin e armatosur serb, ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku. Sipas Berishës, dje rajoni ynë përjetoi ngjarjen më të rëndë në fushën e sigurisë, që nga përfundimi i luftës për çlirimin e Kosovës.
Ai akuzoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për sulmin e armatosur në veri, dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dorëzojnë atë në Hagë me akuzën e gjenocidit dhe krimeve shfarosëse kundër njerëzimit.
“Aleksandër Vuçi1 është një Miloshevi1 i ri, i gatshëm të ndërmarrë çdo aventurë në emër të serbomadhisë e rusomadhisë në rajon. PD-ja i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dorëzojë sa më parë Vuçiqi në Gjykatën e Hagës për pjesëmarrje në gjenocid dhe krime shfarosëse kundër njerëzimit nga Beogradi ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve pak vite më parë. Do të ishte përmbushje e detyrimit ligjor e moral ndaj viktimave dhe kusht për paqen në rajon. Me Vuçiq në Beograd rajoni nuk do të gjejë paqe po vetëm konfliktet”, u shpreh Berisha, teksa shtoi se presidenti serb faktoi pas 19 orësh, se ishte një kryengritje e serbëve të Kosovës kundër Albin Kurtit.
Akuza ngriti edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, që sipas Berishës nuk shprehu ngushëllime për policin e rënë në detyrë, por përsëriti kërkesën e Beogradit për konferencë ndërkombëtare.
“Por si me komandë nga Beogradi reagoi ndaj sulmit të grupit terrorist të përbërë nga oficerë të ushtrisë serbe argati i Vuçiç në Tiranë, Edi Rama. Në reagimin e tij, Rama nuk shprehu ngushëllime për policin e rënë në krye të detyrës sikur po ndodhte përleshje banditësh. Përsëriti kërkesën e Beogradit, por konferencë ndërkombëtare për të zhbërë arritjet 20-vjeçare të Kosovës”.
Berisha tha gjithashtu se “PD-ja mbështet pa rezervë të drejtën e autoriteteve të Kosovës që në bashkëpunim me ndërkombëtarët të finalizojnë në dialog marrëveshjen me Serbinë. PD-ja dënon me forcën më të madhe kryengritjen serbe në Kosovë”.