Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është drejtuar me një pyetje Bashkimit Evropian, pas pamjeve të kapura me dron që publikoi sot Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku shihej se pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës, ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq.
Murati ka thënë se këto pamje e tregojnë “mikun e Vuçiqit duke udhëhequr grupin terrorist”.
Lidhur me këtë, Murati ka pyetur BE’në se çfarë do të bëjë për këtë çështje.
”Dëshmi të pakundërshtueshme se Serbia, kandidatja kryesore për në BE, qëndron pas sulmit terrorist të së dielës në veri të Kosovës – pamjet me dron tregojnë mikun e Vuçiqit duke udhëhequr grupin terrorist. Pyetja që mbetet është: Çfarë do të bëjë BE-ja për këtë”, ka shkruar Murati në platformën “X”.